Thaçi dënon incidentet me serbët

29/10/2014 00:00

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë Hashim Thaçi ka dënuar mbishkrimet dhe goditjen me gurë të disa shtëpive të banorëve serbë.

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Fushë Kosovë, Thaçi tha se kjo nuk është as në traditën e as në kulturën e shqiptarëve, duke theksuar se Kosova është vend i të gjithëve pa dallime etnike.

Ai tha se marrëveshja e Brukselit ka treguar se Kosova dhe Serbia mund të ndërtojnë fqinjësi të mirë.

Në mbledhjen qeverisë po ashtu ministri i FSK-së, njëherësh kryetari i Komisionit për verifikimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Agim Çeku informoi kabinetin qeveritar se komisioni po vazhdon punën për verifikimin e aplikimeve.

Ai tha se deri më tani janë verifikuar 41 mijë aplikime, nga 66 mijë e 500 që kanë qenë gjithësej dhe shtoi se procesi do të përfundojë brenda këtij viti.

Po ashtu, në mbledhje u shqyrtua raporti 9-mujor i buxhetit për vitin 2014, si dhe disa projektvendime.

Top Channel