Liria e biznesit, Kosova ngjitet 11 vende

29/10/2014 00:00

Në raportin e Bankës Botërore, Kosova ka shënuar ngritje prej 11 vendesh në renditjen e përgjithshme të të bërit biznes.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj tha se treguesi i regjistrimit të bizneseve ka shënuar rritjen më të madhe për këtë vit.

“Një nga treguesit që ka pasur më shumë rritje, me 58 vende, është ai i regjistrimit të bizneseve që ka lëvizur nga vendi i 100 në 42, duke shënuar rritjen më të madhe për këtë vit. Kjo i detyrohet Agjencisë për regjistrimin e biznesit. Ndërkohë, ka edhe arritje të tjera domethënëse. Kur Ministria e Tregtisë u mor nga ministrja Kusari Lila raportet ishin jashtëzakonisht negative, por vitë pas viti ka pasur një trend përmirësimi”, deklaroi Mulaj.

Mbrojtja e investitorëve të huaj, energjia elektrike dhe pagesa e taksave janë disa tregues të cilët këtë vit kanë shënuar rënie.

Gazmend Mejzini, shef i Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit, tha se rezultat i rritjes së treguesit të fillimit të biznesit janë ndryshimet dhe thjeshtësimet e proçedurave, shkurtimi i afatit kohor për regjistrim, si dhe integrimi i sistemit të regjistrimit në institucione, sikurse është ATK dhe Dogana.

“Sa i përket investitorëve të huaj që vijnë dhe nuk gjejnë një ambjent të përshtatshëm mund të them se tani kushtet kanë filluar të përmirësohen. Klima e të bërit biznes po shënon rritje. Nuk duhet të harrojmë faktin se pasojat e krizës financiare që ka pasur rajoni janë reflektuar edhe në Kosovë. Nuk po them që situata është e përkryer, por është e rëndësishme për imazhin tonë që ne të vazhdojmë me përmirësime, të cilat më vonë do të sjellin dhe rezultatet”, deklaroi Mejzini.

Ndërkohë, ministri Mulaj shtoi se këto arritje nuk vijnë si pasojë e kontributit të tij, pasi ai ka vetëm disa ditë që është vendosur në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Top Channel