Kur babai është shoku më i mirë

29/10/2014 00:00

Ata ndajnë kohën e lirë mes tyre dhe çdo moment të rëndësishëm me njëri-tjetrin, janë shokë të ngushtë dhe aleatë të mirë. Mbase pak e paimagjinueshme, por ata janë babë e vajzë.

Fejzi dhe Ersejla Murati kanë një lidhje të jashtëzakonshme. Kanë më shumë se tre dekada diferencë moshe, por marrëdhënia e tyre nuk ka distanca. Përkundrazi, është lidhja më e perkryer që një baba mund të ketë ndërtuar me vajzën e tij.

“Jemi shokë shumë të mirë. Shoqëria jonë ka nisur që kur Ersejla mbushi 3 vjeç”, shprehet babai.

Ndërsa vajza thotë: “Babi ka një natyrë miqësore, mami është më kritike për gjithçka, ndërsa babi më mbështet gjithmonë. Është tolerant dhe unë kam gjetur tek ai aleatin më të mirë.”

Shpesh janë lidhjet sentimentale ato që shkaktojnë krisje dhe keqkuptime në marrëdhëniet prindër-fëmijë. Por, një baba që zgjedh të jetë shok, e bën këtë pa kushte me vajzën e tij.

“Tek dashuria ime e parë babi ka qenë prezent derisa zgjati. U tregua një shok i vërtetë dhe më ngrinte moralin”, tregon Ersejla.

Babai thotë se atë eksperiencë e ka përjetuar shumë: “E kam përjetuar edhe unë atë dashuri, më dukej sikur kisha rënë në dashuri edhe vetë.”

Ersejla është fëmija i fundit i çiftit Murati. E ardhur në jetë pas dy motrave dhe një vëllai, ajo menjëherë zuri vendin e nderit si princesha e babit. Ky raport nisi të bëhet special që në vegjëli dhe qëndron i tillë edhe sot.

Fejziu shikon tek Ersejla reflektimin e shpirtit të tij. Thotë me shaka se ajo ka arritur t’i vjedhë gjithçka. Nga dëshira për jetën dhe të bukurën, letërsia, arti e deri tek tiparet e karakterit, ata ndjehen identikë me njëri-tjetrin. Këtë gjë ai e ka kuptuar qysh në vitet e para të jetës kur Ersejla kultivohej me këngët e dashurisë së të atit.

Top Channel