PD: Ftesa e Metës, një hipokrizi

29/10/2014 00:00

Partia Demokratike, përmes kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka, e ka cilësuar si një hipokrizi ftesën e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për t’u kthyer në Parlament.

Në një komunikim me mediat, Paloka ka deklaruar se opozita do të vijojë të kërkojë një marrëveshje me garanci ndërkombëtare për t’u kthyer në Kuvend, pasi mazhoranca i zbaton vendimet e gjykatave sipas orekseve të veta.

“Kryetari i Parlamentit doli sot për të mbrojtur ortakun e pushtetit dhe me broçkulla hipokrite ftoi opozitën në Kuvend, pasi paska lindur një klimë e re bashkëpunimi.

Qëndrimi i tij i sotëm se ngritja e komisioneve parlamentare dhe zbatimi i Kushtetutës nuk bëhet si detyrim imediat, por sipas orekseve të dyshes Rama-Meta, tregon qartë se opozita ka të drejtë kur kërkon një marrëveshje me mbikëqyrje ndërkombëtare, në mënyrë që zbatimi i Kushtetutës të mos jetë më peng i humorit të krerëve të mazhorancës.

PD i bën thirrje gjithë faktorit ndërkombëtar që të ndjekë nga afër bllokimin anti-kushtetues që po i bëhet Gjykatës së Lartë dhe presionin që po i bëhet presidentit të Republikës për të bërë pazare në përzgjedhjen e kandidatëve për këtë gjykatë”, deklaroi Paloka.

Top Channel