Rama: Energjia, nuk do të ndihet heqja e fashës

29/10/2014 00:00

Takimi i përmuajshëm “Kryeministri Juaj” i është dedikuar energjisë elektrike. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të një grupi pensionistësh dhe përfaqësuesish të shoqatës së para dhe tetraplegjikëve.

Një pensionist e pyeti kryeministrin se si do të veprohet me ato shtresa që nuk kanë mundësi të paguajnë për energjinë në momentin që do të hiqet fasha mbrojtëse prej 300 kw.

“Po përgatitemi që të rrisim pensionet e gjithë pensionistëve kryefamiljarë, që konsiderohen shtresa më e dobët dhe më e prekshme menjëherë nga heqja e fashës. Do rrisim pagën e ndihmës ekonomike për gjithë personat e familjet që përfitojnë nga kjo ndihmë, si dhe pagën që marrin të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Që do të thotë për çdonjërin prej pjesëtarëve të 200 mijë familjeve, sepse është një shifër që tregon se kjo reformë e këto masa nuk janë në kurriz të fukarenjve e të më të dobëtit. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi Rama.

Ndërsa një zonjë, përfaqësuese e Shoqatës së tetraplegjikëve, kërkoi të dinte nëse edhe kjo shtresë do të burgoset për mospagim të energjisë dhe nëse do të ketë subvencione për ta.

“Ne nuk mund të amnistojmë vjedhjen për asnjë arsye dhe për askënd. Askush nuk mund ta vjedhë. Ne do të rrisim pagën tuaj në mënyrë që askush të mos ketë asnjë problem për të paguar energjinë. Ne do ta kemi të përcaktuar në buxhet si rritje të pensioneve, ndihmës ekonomike dhe pagës të personave me aftësi të kufizuara masën që heqja e fashës të mos prekë asnjë prej jush”, garantoi Rama.

“Kam besimin 100 për qind se nuk do të tërhiqesh. Se shumë punë janë nisur por kanë mbetur në rrugë. Besimin e kam komplet që nuk do tërhiqesh. Por ministri të shikojë mirë faturistët, sepse bëjnë namin e zi me ato punët e tyre dhe pastaj thonë ‘i kemi futur në kompjuter dhe s’kemi ç’bëjmë’”, i tha një i moshuar kryeministrit.

“Rritja e çmimit uniformë do të thoshte prap se kush paguan do të paguajë edhe më shumë dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë me këta të tjerët. Nuk ka, do t’i bëjmë të gjitha paralelisht”, u përgjigj Rama.

Top Channel