Të shpëtosh 7 jetë pas vdekjes

29/10/2014 00:00

Më shumë se 100 000 burra, gra dhe fëmijë kanë nevojë të shpëtohen nëpërmjet transplantit të organeve. Përafërsisht çdo 5 minuta, një person i shtohet listës së atyre që kanë nevojë për transplant organesh.

Por, cilat organe mund të dhurohen falë zhvillimit shkencor dhe të teknologjisë?

Mjekja nefrologe Fjona Nasto përgjigjet: “Cdo organ mund të dhurohet kur bëhet fjalë për donatorë kadaverikë. Të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë, pajisen me karta të posaçme për dhurim dhe kryejnë “check-up”-e të rregullta çdo 6 muaj për të parë gjendjen e organeve të tyre. Nëse dikush është bartës i një sëmundjeje të caktuar, nuk mund të dhurojë. Në Shqipëri nuk kemi struktura për të kryer transplante.”

Një organ dhurues shpëton deri në 7 jetë duke dhënë zemrën, veshkën, mëlçinë, mushkëritë, pankreasin, zorrët dhe timusin pas vdekjes.

Gjithashtu, mund të përmirësojë cilësinë e shumë të tjerëve duke dhuruar lëkurën, kornean e syrit, indet e kockave etj.

Cila është koha e mjaftueshme që organet mund të përdoren pasi personi ka ndërruar jetë?

“Në varësi të arsyes së vdekjes, koha shkon nga 6-24 orë. Brenda këtij afati kohor duhet bërë marrja e organeve për transplant dhe vendosja tek pacienti i ri”, shpjegon mjekja.

Spanja ka numrin më të lartë të donatorëve të organeve në botë që shkon rreth 36 të tillë për milion, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 26 dhurues për milion. Shumë vende duan të ndjekin modelin e Spanjës për të rritur numrin e dhuruesve të organeve.

Top Channel