Kodheli, vizitë në Uashington

29/10/2014 00:00

E ftuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndodhet në Uashington për një vizitë zyrtare.

Kodheli ka nënvizuar edhe njëherë partneritetin e shkëlqyer mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot në bisedimet dypalëshe do të diskutohet për modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, modernizim ku pa dyshim një zë të rëndësishëm ka pasur asistenca që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura në gjithë këto vite. Gjithashtu do të flasim për misionet e përbashkëta. Ne do të jemi aty ku do të jenë forcat e NATO-s dhe ato të SHBA, në kuadër të përgjigjes për të cilën ne jemi në NATO, sigurinë mbarëbotërore për të cilën ne të gjithë luftojmë”, deklaroi Kodheli.

Minstrja Kodheli theksoi edhe njëherë riskun që po vjen nga jugu i Europës dhe Lindja, por i cili sipas saj mund të menaxhohet shumë mirë duke rritur kapacitetet e bashkëpunimit mes forcave të armatosura.

Top Channel