Shqipëria në luftën ndaj ISIS-it

29/10/2014 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, u intervistua pasditen e së mërkurës nga CNN, ku fillimisht ai i përgjigjet pyetjes së gazetares Backy Anderson se ku konsiston ndihma e Shqipërisë në koalicionin anti-ISIS.

“Shqipëria ka bashkë-sponsorizuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftëtarët e huaj terroristë dhe në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA,  përgjigja e qeverisë sonë ka qenë e gjithanshme, ashtu siç ishim të sigurt që do të ishte. Ne e kemi ndihmuar prej kohësh qeverinë irakiane nëpërmjet dërgimit substancial të armatimeve dhe municioneve, si dhe kemi ndërmarrë masa për të dekurajuar fenomenin e luftëtarëve të huaj. Por, mos harrojmë dhe masat parandaluese. Në Shqipëri ekziston një bashkëjetesë e konsoliduar fetare, e cila u tregua edhe gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, përpara pak javësh. Ne kemi punuar shumë me të gjithë përfaqësuesit më të lartë fetarë në vend për gjetjen e një përgjigjeje efikase, me qëllim parandalimin dhe çradikalizimin. Por, ne nuk jemi të vetëm në këto përpjekje. Flasim për një fenomen botëror”, theksoi zoti Bushati.

Gazetarja e emisionit “Connect the World” e pyeti më tej ministrin Bushati nëse ka një rrezik të brendshëm për Shqipërinë angazhimi në furnizimin me armë dhe municione të luftëtarëve anti-ISIS.

“Më lejoni të jem shumë i qartë. Shqipëria është një vend evropian, një vend laik, ku ka një ndarje të qartë të çështjeve fetare nga ato shtetërore. Ne jemi një shoqëri ku evropianët myslimanë dhe ata të krishterë jetojnë në paqe dhe në harmoni. Ne nuk ndihemi të rrezikuar. Sigurisht, duhet të kuptojmë që ky nuk është një fenomen shqiptar, ky nuk është një fenomen ballkanik, çka do të thotë që Ballkani nuk është burim luftëtarësh të huaj të rinj, por ekziston një element i vërtetë rreziku dhe unë mendoj që të gjitha vendet e Ballkanit, edhe për shkak të vendndodhjes gjeografike, mund të jenë të rrezikuara, sidomos nëse flasim për kthimin e këtyre luftëtarëve të huaj në vendet e tyre të origjinës. Këta të fundit mbartin pa dyshim një rrezik, sidomos aty ku strukturat shoqërore janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është ende i paformuar ose ku ka përbërje të ndërlikuar fetare dhe etnike, siç është rasti i Ballkanit, dhe për këtë çështje nuk ka përjashtime, më duhet të pranoj”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Top Channel