Bllokimi, ende s’ka dritë në fund të tunelit

29/10/2014 00:00

Krizës politike në Kosovë ende nuk po i shihet fundi, edhe pse krerët e partive politike në vazhdimësi deklarojnë se institucionet duhet të krijohen shumë shpejt.

Ndërsa forcat politike vijojnë diskutimet brenda strukturave partiake, kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina edhe njëherë ka bërë të ditur se nuk do të thërrasë seancë pa pasur marrëveshje politike që zgjidhë ngërçin.

Edhe presidentja Atifete Jahjaga i ka ndërprerë takimet e ndara me liderët, ndërsa i ka ftuar ata që kur të jenë gati t’i takojë së bashku për të gjetur zgjidhjen e përbashkët.

Për krizën politike të mërkurën ka diskutuar kryesia e PDK-së, e cila ka ftuar liderët e gjithë spektrit politik që të ulen dhe të komunikojnë së bashku për të gjetur zgjidhjen.

“Tani duhet të ndodhë përfundimisht komunikimi mes spektrit politik, të liderëve dhe partive të interesuara për ndërtimin e institucioneve të reja, duke rspektuar gjithmonë rezultatin zgjedhor të 8 qershorit. Pra, fuqinë politike të spektrit politik e në të njëjtën kohë duke respektuar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi pas mbledhjes kryeministri Hashim Thaçi.

I pyetur nga TCH nëse preferon një diskutim mes PDK-së dhe bllokut, apo PDK-së dhe ndonjë partie të veçantë, Thaçi është përgjigjur:

“PDK, si fituese e zgjedhjeve ka konceptin, ka programin, dhe vizion e vet. Ka axhendën dhe programin e Misionit të Ri me të cilin edhe ka fituar besimin qytetar, prandaj do të punojmë me spektrin që janë të orientimit të qendrës së djathtë”.

Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj të mërkurën ka folur brenda strukturave partiake për krizën politike. Në një takim me të rinjtë e AAK-së, Haradinaj tha se koalicioni paszgjedhor do ta ndërtojë shumë shpejt qeverinë dhe institucionet e vendit.

Liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje pritet që të enjten të takohen dhe të vendosin se si të veprojnë më tej për zgjidhjen e ngërçit.

Top Channel