Vjedhja e energjisë, 65 persona të arrestuar, 24 në kërkim

29/10/2014 00:00

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në një deklaratë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës për aksionin kundër vjedhjes së energjisë, bëri të ditur se “deri në orën 19:00 janë arrestuar 63 persona në shkallë vendi, ndërsa 24 të tjerë janë shpallur në kërkim”.

I pranishëm në konferencë, administratori i OSHEE-së, zoti Arben Seferi, deklaroi: “Është një operacion që do të vazhdojë deri në momentin kur çdo njeri të ndërgjegjësohet që nuk do të ketë tolerime për vjedhjen e energjisë”.

Bilanci u konfirmua në të njëjtin komunikim me mediat edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Florion Seriani.

Ndërkohë, vetëm pak më vonë, listës së të arrestuarve iu shtuan edhe 2 persona të tjerë, të cilët u kapën në flagrancë nga policia e Korçës. Blutë e këtij qyteti njoftuan se nën akuzën e lidhjeve të paligjshme, një shtetase po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. 

Më parë gjatë ditës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kishte thënë: “Një sipërmarrës që e vjedh energjinë elektrike për përfitim, Policia e Shtetit e arreston përgjegjësin e vjedhjes dhe njëkohësisht punonjësin e Operatorit të Shpërndarjes, që duhet të identifikonte, por që nuk e ka bërë, madje ka bashkëpunuar për vjedhjen e energjisë elektrike.”

Në ditën e parë të operacionit u arrestuan 52 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.

Top Channel