Për të folur mbi aktualitetin politik, në studion e Revistës Televizive të Mbrëmjes ka qenë i ftuar kryetari i grupit parlamentar të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, zoti Petrit Vasili.

Pandi Gjata: Le të ndalojmë te zhvillimet e fundit politike, pikërisht duke u nisur nga ajo që ndodhi në Komisionin e Ligjeve dy ditë më parë, ku u rrëzuan sërish dekretet e Presidentit Nishani për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Partia Socialiste votoi kundër, ju deputetët e LSI-së nuk morët pjesë me përjashtim të zotit Braho, i cili votoi pro. Jemi në një krizë sa i përket marrëdhënieve mazhorancë-President. Si e mendoni zgjidhjen, sepse kjo nuk është hera e parë që rrëzohen dekretet e Presidentit Nishani për kandidaturat e tij në Gjykatën e Lartë?

Petrit Vasili: Sa për të sqaruar për publikun, votimi i LSI-së ka qenë unik me mazhorancën, ndërkohë që ka pasur një qëndrim personal të zotit Braho, për njërin prej dekreteve, atë që kishte të bënte me zotin Sokol Ngresi. Në këtë pikë besoj se ka pak për të komentuar. Ne kemi qenë dhe jemi të një mendimi, veçanërisht unë si anëtar i Komisionit të Ligjeve, por edhe si personi i vetëm nga ai komision, i cili ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me Presidentin si kryetar i grupit parlamentar gjatë konsultave. Një nga shqetësimet e vazhdueshme, që u ripërsërit gjatë votimit të bërë në Komisionin e Ligjeve, ka qenë që duhet të ndërtojmë një proces tjetër, duke pasur një plotësim të domosdoshëm me kritere shtesë mbi ato të përcaktuara nga ligjet, në mënyrë që të mbërrijmë te një kandidaturë apo kandidaturat e duhura.

Pandi Gjata: Cilat janë këto kritere shtesë?

Petrit Vasili: Është diçka që nuk dua ta komentoj, sepse është çështje që duhet diskutuar mes juristëve në planin juridik, por që do të lehtësojnë përzgjedhjen dhe njëkohësisht evitojnë gjithë këtë përplasje apo ngërç që ekziston mes Presidencës dhe Parlamentit. Kuvendi e ka mjaft të vështirë të votojë mbi bazën e kritereve kaq përgjithësuese dhe që janë shumë larg asaj që do të ishte kandidatura më përfaqësuese. Këtë e kemi diskutuar vazhdimisht me Presidentin, e në mënyrë po të përsëritur kemi pasur një mungesë dëshire për t’iu futur këtij procesi të domosdoshëm e që do të dilte përpara rrëzimeve. Deri tani nuk ka ndodhur. Mazhoranca është e gatshme të ofrohet për të punuar së bashku për të plotësuar setin e kritereve dhe për të ecur pa përplasje në votimet, të cilat ecin në llogjikën e gjërave. Pra përzgjedhje sipas kritereve dhe votim pa problematika në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament gjatë seancave.

Pandi Gjata: Këtë e shikoni si zgjidhje në marrëdhëniet mazhorancë-President, por a besoni se do të ketë gatishmëri nga ana e Presidentit për të pasur kritere shtesë?

Petrit Vasili: Është e qartë që deri tani kjo gatishmëri ka munguar. Për deri sa historia përsëritet do të thotë që reflektimi është i munguar, por bashkë me të është rinovuar edhe vullneti ynë për të qenë të gatshëm të futemi në këtë proces dhe duhet parë rrëzimi i dekreteve jo si një kundërvënie ndaj Presidentit, por si një tërheqje vëmendjeje për t’u ulur në tavolinë dhe për krijimin e një seti kriteresh, të cilat edhe Presidentin do ta vendosin në një komoditet juridik më të mirë, por edhe Parlamenti nuk do të jetë i detyruar më pas të rrëzojë me votën e tij dekretet, të cilat paraqesin realitete jo bindëse apo të prodhuara nga një proces i cunguar dhe i njëanshëm.

Pandi Gjata: Ju e përmendët edhe në fillim, që nuk ka diferencë në raportin se si voton PS apo LSI, por këto ditë ka pasur edhe komente që e kanë cilësuar si një krisje të marrëdhënieve PS-LSI për mënyrën e votimit në Komisionin e Ligjeve apo referuar disa votimeve të rasteve të mëparshme, ku nuk ka pasur një unison të të gjithë votave të mazhorancës. Në të vërtetë si qëndron ky raport, apo bëni opozitën ndaj njëri-tjetrit në mungesë të opozitës?

Petrit Vasili: Problemi qëndron te inkoherenca e analizës politike nga ana e medias, sepse kur ka vota kundër brenda Partisë Socialiste, në disa votime të veçanta, nuk është thënë krisje e PS-së. Por, nëse ka ndonjë votë ndryshe, qoftë edhe të ndonjë personi individual, thuhet direkt që ka krisje mes PS-LSI. Ne nuk mund të pengojmë ata që kanë dëshirë ta bëjnë këtë gjë, sepse ky vend është aq demokratik, sa që lejon të tjerët të bëjnë edhe dashamirësit, dashaligësit, apo kasandrat. Pra, nuk ekziston një gjë e tillë dhe këto interpretime nuk duhet të merren parasysh, pasi nuk ndihmojnë të kuptojmë se ç’ndodh në të vërtetë. Unë ju siguroj se ka një koherencë të plotë dhe për çështjen në fjalë, sepse për këtë kanë lindur këto komente, nuk besoj se ka vend për diskutime. Kush kërkon të gjejë elementë krisjeje duhet të presë të gjejë çështje të tjera. Në emër të mazhorancës, në mënyrë të veçantë në atë komision parlamentar, unë jam pjesëtar i tij dhe njëkohësisht edhe kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, por askush nuk duhet të mendojë se ne do të përsërisim mazhorancën e kaluar, kur nëpër komisione parlamentare nuk kishte fare diskutime, kishte një fiktivitet rreshtimi ushtarak duke mos prodhuar as debat dhe as përmirësim, atëherë kjo do të ishte vdekje e Parlamentit. Mazhoranca aktuale ka ndërmend ta zhvillojë historikun parlamentar, e jo ta mortifikojë atë. Ju e keni parë se mjaft ligje nëpër komisione kanë pësuar përmirësime të domosdoshme.

Bojkoti parlamentar i opozitës
Akuzat e PD-së për Metën dhe garancia ndërkombëtare

Pandi Gjata: Do të qëndrojmë te çështja e bojkotit të opozitës. Sot patëm një ftesë të ripërsëritur të kryetarit të Parlamentit, zotit Ilir Meta, për të thyer bojkotin opozita parlamentare, por me gjasë nuk do të ketë thyerje, të paktën edhe për seancën e kësaj të enjteje, siç do të komentojmë edhe qëndrimin që mbajti PD. Mendoni se ju, si mazhorancë, i keni ezauruar të gjitha mundësitë apo kushtet që ka kërkuar opozita?


Petrit Vasili
: Ne kemi qenë konstant dhe konseguent, pse jo, në qëndrimin tonë për të inkurajuar opozitën, që ajo të kthehet në Parlament. Nuk është qëndrim i ri, është qëndrim i kahershëm i yni. Kemi qenë vazhdimisht kundër bojkotove dhe si forcë politike jemi ndodhur në momente shumë të vështira, e megjithatë nuk e kemi bojkotuar Parlamentin. Kemi qenë edhe në momentet e një diskriminimi të fortë politik, evidente për opinionin publik, por për ne instrumenti i përjashtimit politik ka qenë i papranueshëm, që nuk prodhon rezultate. Sigurisht, një instrument i aftë që të mbajë gjallë konflikte, por jo të prodhojë zgjidhje.

Pandi Gjata: Me votimin e komisioneve hetimore parlamentare që kërkoi opozita, a mendoni se janë plotësuar kushtet për rikthimin e saj në Parlament?

Petrit Vasili: Qëndrimi i kryetarit Meta është rikonfirmim i vullnetit tonë për të vazhduar të maksimizojë hapësirat e opozitës, të cilat realisht kanë qenë të mëdha. I kam përcjellë me vëmendje si shumëkush, shifrat që zoti Ruçi ka publikuar në sallën e Parlamentit për kohën e çmueshme parlamentare ndaj opozitës. Po të shohim shifrat e kohëve të përdorura në periudha të tjera kur opozita ishte mazhorancë, kemi shifra krejtësisht të papërputhshme me këto aktuale. Hapësirat që rregullorja apo jeta parlamentare të lejon, janë në dispozicion të plotë të opozitës, me vullnet të mazhorancës për të ecur edhe përtej rregullores. Zoti Meta ka ecur me vullnet të plotë përtej rregullores jo në pak raste, por në favor të një të mire publike, apo një dimensioni të zhvilluar të përfaqësimit sa më të plotë parlamentar të opozitës në Parlament. Thënë kjo, së bashku me plotësimin dhe merakun e komisioneve hetimore, besojmë se gjithçka është kërkuar nga opozita është tashmë e plotësuar në tavolinë.

Pandi Gjata: Menjëherë pas ftesës së zotit Meta ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Në fakt, e quan hipokrizi ftesën dhe thotë se, që opozita të kthehet në Parlament, kërkohet garanci ndërkombëtare.

Petrit Vasili: Me shumë mirëkuptim dhe pa polemikë, unë pashë një pafundësi emocionaliteti, brenda së cilës u përpoqa shumë të gjeja se ku qëndronte politika. Si interpretim emocional ishte shumë i mirë dhe meritonte një notë të mirë ai i zotit Paloka, por si interpretim politik nuk shkon më shumë se sa nota 1. Praktisht, sipas imagjinatës së opozitës, nëse ne jemi dy palë palestinezë dhe izraelitë, dhe duhet një palë e tretë ndërkombëtare që të krijojë një mirëkuptim të madh, kjo është për të qeshur. Jemi në vitin 2014, Shqipëria ka ditur edhe në ’97-n të ulet në tavolinë dhe të zgjidhë probleme, madje të komplikuara, sepse ky nuk është një problem i komplikuar. Opozita është në një moment përhumbjeje të kauzave dhe po përpiqet të krijojë kauza fiktive. Në fillim ishte problemi i dhunës në Parlament, më pas komisionet hetimore, ndërsa tashmë është e qartë se kjo është një opozitë shumë larg të qenit e fokusuar në një çështje madhore politike. Nuk mundet mazhoranca të ndihmojë opozitën dhe t’i krijojë kauza asaj, kjo është detyrë e saj.

Pandi Gjata: Mos ka ardhur koha e uljes në ndonjë tryezë e Ramës dhe Bashës?

Petrit Vasili: Tryeza të tilla janë kërkuar edhe për çështje konkrete, jo teorike. U kërkua të uleshin për reformën Administrative, e cila ishte një reformë madhore, por refuzimi ishte i vazhdueshëm. Ne kemi qenë nismëtarë, unë vet kam kërkuar me t’u krijuar mazhoranca e re në Tetor 2013, kam propozuar një takim Basha-Rama për çështje që ishin pezull në fillim të legjislaturës dhe refuzimi sërish nuk mungoi. Mjafton që ju t’i merrni deklaratat e Palokës apo të të tjerëve dhe t’i vendosni në kohën kur pati një bojkot shumë të gjatë të Partisë Socialiste, atëherë ato do ta vinin në kushte të vështira PD-në. Në atë kohë, asnjë tentativë ndërkombëtare nuk mund të ishte e vlefshme, qoftë për votimin e tre ligjeve në fund të legjislaturës, apo edhe gjëra të tjera. Por gjithçka ka ardhur me një mirëkuptim të forcave politike që, sipas pjekurisë dhe eksperiencës së mbledhur, arrijnë në përfundimin se bojkotet dëmtojnë klimën politike, rezultatet e vendit, por edhe vet opozitën.

Pandi Gjata: Me gjasa, edhe për disa kohë do të jenë vet si mazhorancë në Parlament, opozita nuk ka në plan që të thyejë bojkotin, dhe me sa duket po ia bëni vet opozitën vetes.

Petrit Vasili: Jo, e them me plot bindje, që ne si mazhorancë nuk e kemi për kënaqësi që opozita të mungojë në Parlament. Dhe pikërisht kjo hapësirë e madhe e krijuar në Parlament është një shtysë që opozita të jetë aty për ta shfrytëzuar. Për ne, demokracia që kemi në mendjen dhe kredon tonë, është një demokraci me mazhorancë dhe opozitë.

Top Channel