NATO: Manovra të “konsiderueshme” të avionëve rusë

30/10/2014 00:00

Aleanca atlantiko-veriore NATO ka raportuar një rritje “të pazakontë” të zhvillimit të manovrave të avionëve luftarak rusë mbi hapësirën ajrore europiane, përgjatë dy ditëve të fundit.

Në deklaratën e NATO-s thuhej se një grup prej 4 avionësh luftarak, përfshi bombarduesit “Tu-95” dhe avionë MiG-31, janë kapur mbi detra dhe mbi oqeanin Atlantik.

Avionë luftarak nga Norvegjia, Britania, Portugalia, Gjermania dhe Turqia janë përpjekur të kundërpërgjigjen, ndërkohë që tensionet mes Rusisë dhe shteteve aleate të NATO-s janë përshkallëzuar pas krizës së Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas aneksimit nga kjo e fundit e gadishullit ukrainas të Krimesë në fillim të këtij viti. Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej pasi Perëndimi akuzoi Rusinë se mbështeste rebelët në Ukrainën lindore, gjë që Moska e ka refuzuar.

E megjithatë, deklarata e së mërkurës e NATO-s nuk e përmendte asgjëkundi Ukrainën. Në të thuhej se fluturimet e “konsiderueshme” ruse kanë qenë të pazakonta për nga shkalla e veprimtarisë, edhe pse nuk është raportuar asnjë incident.

Deklarata bënte të ditur se avionët rusë ishin kapur teksa fluturonin mbi Detin e Zi, detin Baltik, detin e Veriut dhe mbi oqeanin Atlantik, duke detyruar avionë luftarakë nga vendet anëtare të NATO-s t’i gjurmojnë dhe t’i shoqërojnë ato.

Në total, NATO bëri të ditur se kishte kapur avionë rusë në më shumë se 100 raste deri më tani gjatë këtij viti, 3 herë më shumë se sa janë regjistruar vitin e kaluar.

“Përpjekjet për t’i kapur avionët janë procedura standarde kur një avion i panjohur i afrohet hapësirës ajrore të NATO-s”, thuhej në deklaratë.

Gjithsesi, sipas saj, të tilla fluturime përbëjnë një rrezik potencial ndaj aviacionit civil, kjo për shkak se avionët ushtarak rusë shpesh herë nuk bëjnë të ditur planet e fluturimit, apo shfrytëzojnë transmetues në bord.

“Kjo nënkupton se kontrollorët e trafikut ajror civil nuk mund t’i kapin këto avionë dhe as të sigurohen se nga to nuk do të ketë interferenca me trafikun ajror civil”, thuhej në deklaratë.

Top Channel