Negociatat Ukrainë-Rusi për gazin vijojnë…

30/10/2014 00:00

Ukraina dhe Rusia kanë negociuar sërish pa një akord përgjatë natës së të mërkurës, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Europian po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje për rifillimin e furnizimit me gaz natyror të Kievit në prag të dimrit.

Në bisedimet e zhvilluara në Bruksel, të organizuara prej Komisionerit të Energjisë së BE-së, Guenther Oettinger, dy ditë nga fundi i mandatit të tij – pasi më 1 Nëntor do të nisë punë një tjetër ekip ekzekutiv i BE-së, zyrtarët anuluan një konferencë për shtyp të mbrëmjes, gjatë së cilës ata shpresonin se do të njoftonin arritjen e një marrëveshjeje pas disa muaj negociatash.

“Negociatat janë në zhvillim e sipër dhe me shumë mundësi do të vijojnë edhe gjatë orëve të natës”, bëri të ditur Komisioni Europian përmes një deklarate të publikuar më 21:00. “Në rast se do të arrihet një akord, atëherë konferenca për shtyp është parashikuar të mbahet mëngjesin e së enjtes, rreth orës 08:30”.

Ndërkohë që Kievi dhe Moska janë futur në një konflikt të gjatë, për shkak të rebelimit pro-rus në Ukrainë, të nxitur fillimisht nga kursi i marrë nga ish-shteti sovjetik për të shkuar drejt Perëndimit, Bashkimi Europian – i cili është gjithashtu i varur nga gazi rus – po përpiqet të tejkalojë ngërçin për pagesat e pashlyera që kërcënojnë ndërprerjen e furnizimeve.

Gazpromi rus, kompani shtetërore e shpërndarjes së gazit, shefi ekzekutiv i të cilit ka qenë në bisedimet me Oettinger, së bashku me ministrat rusë dhe ukrainas të Energjitikës, ndali furnizimet ndaj Ukrainës në muajin Qershor, duke u justifikuar me faturat e papaguara të Kievit, që sipas Moskës shkojnë në rreth 4,5 miliardë dollarë.

BE, e cila ka ofruar kreditime ndaj Ukrainës së bashku me FMN-në, synon të çlirojë më shumë fonde. Gjermania, një aleat kyç i liderëve pro-perëndimorë të Ukrainës, ka folur mbi ofrimin e “urave lidhëse financiare” ndërkombëtare për të ndihmuar Kievin gjatë dimrit.

Top Channel