Rama: Operacionet do të vazhdojnë. Ruçi replikon me ministrat

30/10/2014 00:00

Në seancën e sotme parlamentare, ministri i Energjitikës dhe ai i Brendshëm deklaruan vendosmërinë për vazhdimin e operacionit për ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

“Kemi arritur një rezultat spektakolar kur bashkëpunimi mes OSHEE-së dhe forcave të rendit ka bërë të mundur ndalimin e mbi 1.112 personave në tre ditët e fundit”, deklaroi Gjiknuri.

“Unë do u kërkoja të gjithë deputetëve pa përjashtim, edhe atyre të opozitës me sa mundësi kanë, të shprehin mesazhe të qarta për mbështetjen e këtij aksioni”, tha nga ana tjetër Tahiri.

Por hovit të ministrave për energjinë, por edhe për të tjerë sektorë, i ka dalë përballë kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi. “Zotërinj ministra, kur vini këtu në Parlament vini për të dhënë llogari dhe jo të fshiheni pas thirrjes së kryeministrit. Dëgjova dy ministrat se janë përfshirë në aksionet e nisura nga kryeministri. Qeverisja nuk bëhet me aksione”, deklaroi Ruçi.

Kritika e Ruçit, që ka shkuar më gjerë në radhët e ministrave sesa vetëm tek Gjiknuri e Tahiri, ka pasur në themel punën e tyre njëvjeçare. “Janë 2.252 elektricistë. Ç’mendoni ju, se këto lidhje të jashtëligjshme nuk i kanë bërë këta? Sikur çdo lidhje të bëjnë këta, çdo ditë do kemi 2.252 lidhje të paligjshme. Nuk luftohet krimi me aksione, por çdo ditë. Ka krim ekonomik dhe nuk ka krim më të madh se ai prej 125 milionë eurosh. Çfarë ka bërë policia?”, theksoi Ruçi.

Duke e falenderuar kryetarin e grupit për hapjen e debatit, që bëhet edhe më e vështirë në mungesë të opozitës, siç pohoi, Edi Rama u ndal në sqarimin e operacionit të energjisë. Ai tha se ndërhyrja që Ruçi kërkoi të niste më herët u vonua për shkak të konfliktit ligjor të CEZ.

Kryeministri vlerësoi punën e kabinetit, duke përmendur nominalisht disa prej ministrave dhe duke siguruar grupin e tij parlamantar për një punë të shtrirë në kohë dhe jo të përqendruar vetëm në aksione.

“Ia kemi dalë ta vendosim këtë proces në atë rrugë që nuk është më rruga pa fund e 20 viteve, por është një rrugë që ka stacione dhe ka një mbërritje absolutisht të sigurt dhe të suksesshme, jo për qeverinë, por për mbarë vendin tonë”, deklaroi Rama.

Deklaratat e kryeministrit dhe kryetarit të grupit ishin pjesa kulmore e një seance, ku shefi i qeverisë mbajti një fjalim të gjatë për operacionet e nisura nga qeveria. Tek energjia, nënvizimin e pati rritja e pensionistëve, pagesës për familjet me ndihmë ekonomike dhe ato për personat me aftësi të kufizuara, për të bërë të pandjeshme heqjen e fashës prej 300 KW. Ndërsa pati edhe një mesazh për opozitën për prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Shqipëria e ndërtimit të qebaptores ngjitur me dhomën e gjumit të tjetrit dhe nxjerrjes së tymit të qofteve poshtë krevatit ku fle tjetri, nuk mund të vazhdojë më. Shqipëria që është e dyndur nga kjo shëmti e tmerrshme, që quhet edhe biznes, me demek që këtu po lulëzon biznesi mbi trotuare, po lulëzon biznesi në kurriz të pensionistëve, në kurriz të fëmijëve, po lulëzon biznesi duke i zënë rrugën zjarrfikseve dhe po lulëzon biznesi duke i bërë anët e rrugëve kombëtare sikur janë korridori i një mehjaneje gjigante në një nga vendet më të bukura të Mesdheut, nuk mund të vazhdojmë më”, theksoi Rama.

Të gjitha këto operacione, tha kryeministri, nuk kane asgjë tjetër si synim përveç asaj për të cilën është mandatuar qeveria e tij. “Nuk kemi asgjë për të shpikur, kemi vetëm për të bërë me vendosmëri, vendosmëri, vendosmëri. Le të thonë çfarë duan, le të mendojnë cfarë të duan, detyra jonë nuk është të shtymë ditët në pushtet duke lënguar, detyra jonë është ta shfrytëzojmë qëndrimin tonë në Qeveri për të mos lejuar më që Shqipëria të lëngojë siç ka lënguar për 20 vjet”, tha Rama.

Top Channel