Blloku opozitar: Të mblidhet Kuvendi

30/10/2014 00:00

Subjektet politike të koalicionit paszgjedhor në Kosovë kanë vendosur t’i kërkojnë sërish kryesueses Flora Brovina që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Zyrtarë të tjerë partiakë kanë vendosur në takimin e së enjtes që t’i mbledhin nënshkrimet e deputetëve të tyre dhe t’i drejtohen Brovinës me një kërkesë të re.

“Morëm vendim që t’i drejtohemi kryeparlamentares me nënshkrimet e deputetëve për seancë. Meqenëse të drejtën për nominim e ka PDK-ja dhe mundësinë për të thirrur seancën e ka Flora Brovina, ne po kërkojmë që të thirret seanca dhe që Kuvendi të gjejë zgjidhjen”, ka deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Blloku paszgjedhor sërish i ka bërë thirrje PDK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi që t’i hapin rrugë shumicës parlamentare që të krijojë institucionet.

Mësohet se ditëve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës është diskutuar ideja që shumica e krijuar parlamentare ta votojë kryeparlamentarin e PDK-së, për t’i hapur rrugë Bllokut për krijimin e qeverisë.

Burime të Top Channel brenda LDK-së kanë bërë të ditur se kjo parti do të kërkojë postin e kryeministrit dhe ridizajnim të marrëveshjes me Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën, të cilat po ashtu kanë kushtet e veta. I pyetur për këtë çështje, Haradinaj ka thënë se deri tani nuk e kanë diskutuar një gjë të tillë.

“Ekziston një kërkesë politike e shumicës në Parlamentin e vendit për zotin Thaçi që të hapë rrugë për ndërtimin e institucioneve. Kjo është oferta jonë politike. Oferta jonë parashikon edhe përgjegjësi për disa prej nesh dhe ne i qëndrojmë asaj oferte. Pra, nuk ka as lëkundje, as diskutim, as dilemë dhe nuk e shohim si pyetje për t’i dhënë përgjigje”, ka thënë Haradinaj.

Përderisa Blloku paszgjedhor po kërkon thirrje të seancës konstituive, kryesuesja Flora Brovina deklaroi një ditë më herët se nuk do ta thërrasë atë pa pasur një marrëveshje politike mes subjekteve, konform vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel