Buxheti 2015, rriten të ardhurat

30/10/2014 00:00

Qeveria synon të mbledhë 43 miliardë lekë të ardhura më shumë vitin e
ardhshëm përmes mirëadministrimit dhe rritjes së taksave mbi qytetarët
dhe biznesin.

Top Channel publikon draftin paraprak të buxhetit 2015, tashmë i përgatitur dhe që së shpejti pritet të miratohet në Qeveri. Sipas tij, të ardhurat totale rriten nga 367.9 miliardë lekë këtë vit në 410.9 miliardë vitin e ardhshëm. Sipas Qeverisë, pjesa më e madhe e kësaj rritje, rreth dy të tretat vijë nga lufta ndaj evazionit, ndërsa 13 deri në 15 miliardë lekë do të jenë rritje direkte e taksave.

Por ku qytetarët do të paguajnë më shumë? Sipas draftit, janë katër zëra taksash ato që sjellin pjesën dërrmuese të shtesës. Së pari Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ku Qeveria synon të mbledhë rreth 9.5 miliardë lekë më shumë se këtë vit nga administrimi dhe lufta ndaj evazionit dhe informalitetit. Të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale do të rriten me nga 7 miliardë lekë secila. Ndërsa ato nga taksat kombëtare me mbi 8.5 miliardë lekë. Akcizat, taksat kombëtare, dhe tatimi mbi të ardhurat personale, janë taksa që vitin tjetër pritet të rriten në disa zëra si tek cigaret, qiratë apo karburantet përmes taksës së qarkullimit.

Këto janë ndryshimet në të ardhurat. Në krahun e shpenzimeve, rritja do të jetë më e përmbajtur. Sipas draftit shpenzimet totale shkojnë në 469.9 miliardë lekë nga 456.4 miliardë që janë këtë vit. Thuajse e gjithë kjo rritje shkon tek shpenzimet korrente dhe vecanërisht tek pagesat për interesat e borxhit që rëndohen me rreth 13 miliardë lekë. Ndërsa investimet, zëri më produktiv i shpenzimeve qeveritare do vijojnë të tkurren sërish ndonëse me vetëm 1.5 miliardë lekë.

Nis ulja e borxhit
Më pak shpenzime nga qeveria. Rritja ekonomike nga privatët

Drafti paraprak i buxhetit tregon se përballë angazhimit të shpallur për uljen e borxhit, vitin tjetër politika fiskale hyn në një raund të fortë konsolidimi. Deficiti buxhetor ulet nga 6.4 për qind e Prodhimit Kombëtar që është këtë vit në 4 për qind vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë se në 2015, hapsira e Qeverisë për të marrë borxh ngushtohet me 2.3 për qind ndaj Prodhimit Kombëtar. Por si do të kompensohet ky korrektim? Shifrat tregojnë se pjesa dërrmuese, vjen nga krahu i të ardhurave. Përkatësisht Qeveria angazhohet që vitin tjetër t`i rrisë të ardhurat me 1.5 për qind ndaj Prodhimit Kombëtar, ndërsa shpenzimet konsolidojnë pjesën e mbetur prej 0.8 për qind.

Por kjo politikë ngre dy pyetje? Së pari objektivi për të mbledhur 43 miliardë lekë më shumë të ardhura duket ambicioz, aq më tepër kur pjesa më e madhe e tij synohet nga lufta ndaj informalitetit. Qeveria ka nisur se fundi disa aksione kunder evazionit dhe informalitetit, por përballë këtij plani mbetet për t`u parë se cili do të jetë reagimi i Fondit Monetar, i cili zakonisht ka një qëndrim me te rezervuar ndaj programeve optimiste.Se dyti, përtej opinionit të fondit pyetja tjetër lidhet me efektet që ky korrektim i fortë mund të ketë në rritjen ekonomike. Ajo çka shifrat tregojnë është se përballë detyrimit për të ulur borxhin, vitin tjetër kontributi sektorit publik në rritjen ekonomike do të jetë me i ulet se viti qe po leme pas. Tashmë mbetet për t`u parë se a do të mundet sektori privat të rritet mjaftueshëm për të kompensuar këtë efekt, por edhe për të gjeneruar përshpejtimin e rritjes ekonomike, të cilën Qeveria e parashikon 3.3 për qind vitin e ardhshëm.

Top Channel