Trafiku i të miturve në Britani vijon rritjen

30/10/2014 00:00

Lajmi në median londineze të ribashkimit me ndihmën e autoriteteve britanike të tre motrave shqiptare në moshë të vogël, që ishin viktima të prostitucionit dhe trafikimit, nxorri në pah edhe njëherë problematikën e të rinjve shqiptarë që mbërrijnë në ishull të pashoqëruar.

Ishte një punonjëse sociale nga qyteza e Krojdonit, në perëndim të Londrës, zonë ku ndohen edhe zyrat e emigracionit, e cila arriti të bashkonte tre motrat të ndara nga njëra-tjetra për vite me radhë.

Në Britani ka një shtim në vitet e fundit të të rinjve dhe minorenëve që kërkojnë azil për arsye nga më të ndryshmet, që nga gjakmarrja, trafikimi, orientimi seksual apo edhe refuzimi për t’u shndërruar në xhihadistë e për të shkuar e luftuar në Siri, nën presionin e prindërve të tyre myslimanë fanatikë, siç pretendohet.

Këta të rinj, përveç ndihmës së dhënë nga autoritetet lokale për strehimin dhe shkollimin e tyre kanë nevojë dhe për këshillime në fushën e emigracionit dhe edukimit.

“Shpresa Programme”, një nga shoqatat më aktive në komunitetin shqiptar në Londër, sipas drejtueses së saj, zonjës Luljeta Nuzi, ka inauguruar këto ditë në Parlamentin britanik një projekt për t’u ardhur në ndhimë të rinjve shqiptarë të pashoqëruar që kërkojnë azil. Duke folur për Top-Channel, zonja Nuzi shpjegon se si lindi nevoja për një projekt të tillë.

“Çdo vit në Angli vinjë më shumë se 3 mijë të rinj të pashoqëruar dhe nën moshë. Në vitin 2012, më shumë se 240 prej tyre ishin shqiptarë. Ky numër është rritur akoma më shumë në dy vitet e fundit dhe shpesh herë ne jemi kontaktuar nga shkollat apo policia për incidente apo problematika me të cilat këta të rinj janë përballur dhe këto institucione gjithashtu. Si rezultat i këtyre kërkesave, “Shpresa Programme” ka inaugruar një projekt të ri që i dedikohet punës për të rinjtë e pashoqëruar dhe nën moshë, duke dhënë informacione dhe duke mundësuar që ata të integrohen me dinjitet në Angli”, deklaron zonja Nuzi.

Top-Channel ka mësuar se në zonën e Krojdonit, në perëndim të Londrës, për shkak të problemeve që kanë shkaktuar grupe të rinjsh shqiptarë në ambjente publike, ata nuk lejohen nga policia as që të shkojnë nëpër kafene të caktuara apo ambjente të tjera publike.

Përgjithësisht, të rinjtë e pashoqëruar, në bazë të rregullave aktuale të emigracionit deri në moshën 18-vjeçare, vihen nën kujdesin e institucioneve britanike, me përjashtim të rasteve kur rezultojnë se kanë gënjyer për moshën e vërtetë.

Shumica e tyre vendosen dhe sistemohen pranë familjeve britanike për të jetuar me ta, ndërkohë që u shqyrtohet kërkesa për azil dhe kthehen në atdhe nëse refuzohen, pas moshës 18-vjeçare.

Top Channel