Turqia tregon forcën në Mesdhe

30/10/2014 00:00

Mollë sherri midis Greqisë, Qipros dhe Egjiptit nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër është bërë Zona Ekskluzive Ekonomike e Qipros pasi anija eksploruese “Barbaros”, e dërguar nga pala turke pranë brigjeve të ishullit, nën survejimin e disa anijeve luftarake të Turqisë, ka shkaktuar reagimin e Athinës, Nikozisë dhe Kajros.

Në një deklaratë të përbashkët ministrat e Jashtëm të tre vendeve i kanë çuar Turqisë një notë proteste, duke i kërkuar qeverisë që të respektojë të drejtat sovrane të Qipros.

Tre vendet mesdhetare shprehin keqardhje për veprimet e fundit të paligjshme të kryera brenda ZEE-së të Qipros, si dhe kërkimet e paautorizuara sizmike brenda kësaj zone. Ato i kanë kërkuar Ankarasë t’i ndalojë ato duke theksuar se, “çdo veprim i njëanshëm dëmton më tej stabilitetin dhe sigurinë në Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme”.

Pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Athina zyrtare ka urdhëruar dërgimin në këtë zonë të një fregate dhe një nëndetëseje të Flotës së saj luftarake.

Tregues i situatës kritike është edhe fakti që në Qipro udhëton në ditët e ardhshme edhe kryeministri Antonis Samaras, ndërkohë që në kryeqytetin Nikozi ka qenë edhe ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos.

Ky i fundit, duke komentuar dërgimin e trupave ushtarake greke në zonën detare të Qipros, ka theksuar se Athina ka detyrime ndërkombëtare dhe se fregata shkon në këtë zonë si pjesë e UNIFIL-it, forcës së OKB për Libanin, ndërsa nëndetëjsa si pjesë e operacionit te NATO-s “Active Endeavour”.

Veprimet e autoriteteve turke i ka kritikuar ashpër edhe BE përmes një mesazhi dërguar Ankarasë javën e kaluar, ku theksonte se, agresiviteti që tregon ajo në rajon nuk do të pranohet nga shtetet anëtare të tij.

Nga ana e saj, Turqia vazhdon të vërë në dyshim Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros, një zonë e pasur me hidrokarbure, ndërsa dihet historikisht se prej dekadash të tëra Ankaraja dhe Athina ende nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për kufirin ujor në detin Egje, duke lënë të pashfrytëzuara pasuritë nënujore të tij.

Top Channel