Salloni i Shijes në Torino, Shqipëria me 40 prodhues

30/10/2014 00:00

Sapo është mbyllur në Torino Salloni i Shijes, një prej panaireve më të rëndësishme në botë në fushën e gastronomisë dhe agrobiznesit.

Edicioni i këtij viti, që u ndoq nga rreth 220 mijë vizitorë, kishte në qendër mbrojtjen e biodiversitetit ushqimor dhe bujqësisë me përmasa familjare.

Shqipëria qe e pranishme me gati 40 prodhues, që sollën në panair shijet tipike shqiptare. Jufka Dibre e gliko Përmeti, raki rrushi e pije të ndryshme zunë vend në stendën shqiptare, ku nuk mungonin edhe prodhimet e freskëta.

Ndërsa gatimet tradicionale si edhe më parë, në këtë ngjarje prestigjoze i solli shefi i njohur i kuzhinës Altin Prenga. Ai gatoi një drekë që u vlerësua nga specialistët dhe të apasionuarit e kuzhinës.

Por jo vetëm kaq. 29-vjeçari Beniamino Bilali, me origjinë nga Durrësi e që tanimë konsiderohet një prej maestrove më të shquar në vend, mbajti një leksion të veçantë mbi përgatitjen e picës, simbolit të padiskutueshëm të kuzhinës italiane.

Top Channel