Dështon përpjekja amerikane për ekstradimin e Roman Polanski-t

30/10/2014 00:00

Hetuesit polakë ndaluan dhe morën në pyetje regjisorin Roman Polanski, i akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për përdhunimin e një 13-vjeçarje në vitin 1977.

Polanski ndodhej në Poloni për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut Hebre në Varshavë. Ai u mor në pyetje nga prokurorët në qytetin e Krakovës, ku u njoh me urdhër-arrestin amerikan.

Sipas autoriteteve polake, regjisori u la i lirë pasi ende nuk ka mbërritur një kërkesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara për ekstradimin e tij, ndërsa në 2010 prokurorët kanë deklaruar se ekstradimi është i pamundur nën ligjet polake pasi është tejkaluar afati kohor për cilësimin e veprës penale.

Autori i “The Pianist” dhe “Chinatown” në 2009 u arrestua në Zvicër ku kishte udhëtuar për të tërhequr një çmim në një festival filmi. Ai fitoi betejën ligjore që zgjati për disa muaj dhe u rikthye në Francë.

Polanski u akuzua në Los Anxheles në vitin 1977  nga policia amerikane me akuzën e përdhunimit, por përpara se gjykata të merrte një vendim ai u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe që prej asaj kohe i është shmangur Amerikës, por edhe vendeve nga ku mund të ekstradohej për atje.

Vitin e kaluar viktima e tij, Samantha Geimer, tani 51 vjeç, bëri publike versionin e saj të ngjarjes në një libër të titulluar “Vajza: Një jetë nën hijen e Roman Polanski-t”.

Top Channel