Izrael-Palestinë, betejë për Al Aksa

30/10/2014 00:00

Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas e cilësoi një “thirrje për luftë” mbylljen e një vendi të shenjtë mjaft të diskutuar në Jeruzalem.

Nabil Abu Rudeina deklaroi se Autoriteti Palestinez do të ndërmarrë veprime ligjore pas kësaj levizjeje, e cila erdhi në mesin e tensioneve të rindezura prej lëndimit të një aktivisti hebre.

Rabini Yehuda Glick mbeti i plagosur rëndë nga të shtënat e një 32-vjeçari palestinez, i cili u qëllua më pas për vdekje nga policia. Glick, i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është mbështetës i flaktë i më shumë të drejtave për hebrenjtë që të falen në vendin e njohur prej këtyre të fundit si Kupola e Shkëmbit dhe prej myslimanëve si Haram al-Sharif.

Bëhet fjalë për zonën më të shenjtë të Judaizmit, e cila përmban njëkohësisht dhe xhaminë Al Aksa, që është nga ana e saj vendi më i shenjtë i fesë islame.

Situata ka precipituar aq sa tani zëdhënësi i Abbas bën përgjegjëse qeverinë izraelite për një “veprim shumë të rrezikshëm”, i cili lexohet si nxitje për luftë nga populli palestinez.

Vetë sulmi ndaj Glick nga ana tjetër shënoi më të fundit të një serie incidentesh që kanë çuar drejt përshkallëzimit të tensioneve në Jeruzalem.

Disa lagje në lindje të qytetit janë kthyer që prej konfliktit të Gazës thuajse përnatë në skena përplasjesh mes palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë.

Policia sqaroi se personi i dyshuar si autor i sulmit ndaj rabinit, Moataz Hejazi, kishte qenë i burgosur në Izrael e ishte liruar dy vjet më parë. Sipas saj, 32-vjeçari i përket grupit militant Xhihadi Islamik.

Ndërkohë, Suedia u bë vendi i parë i rëndësishëm i Europës perëndimore që njohu zyrtarisht Palestinën si shtet. Ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom tha se shpreson që shembullin e vendit të saj ta ndjekin edhe të tjerë, ndërsa shefi i diplomacisë izraelite Avigdor Lieberman e cilësoi këtë një vendim për të ardhur keq.

Top Channel