Familja e Slobodan Milosheviç, që kur është arratisur nga Serbia, jeton në Moskë. Bashkëshortja e tij, Mira Markoviç, e cila konsiderohej si motori i ideve të tij të përgjakshme, dhe i biri Marko, që njihej si person problematik, tashmë nuk do të kenë probleme për pronat e tyre.

Bashkimi Evropian hoqi sanksionet për këtë familje, e cila në Serbi është në kërkim, por që ligjërisht askush nuk është angazhuar shumë për këtë çështje.

Heqja e sanksioneve, për një pjesë të politikës së rikthyer serbe është pozitive, por jo për viktimat. Milosh Todoroviç, aktualisht gazetar i radios Evropa e Lirë, është rrahur dy herë nga policia serbe gjatë viteve ’90.

Në atë kohë, kur gazetarët liberalë ishin të përndjekur, kishte pak hapësirë për të vërtetën. Todoroviç thotë se familja Milosheviç përbën një ofendim.

“Ky lajm vjen 15 vjet pas rënies së Milosheviçit nga pushteti. Ndaj dhe njerëzit ndoshta nuk reagojnë shumë. Por, ky lajm është një padrejtësi ndaj të gjithë atyre, që kanë vuajtur pasojat e këtij regjimi, e jo vetëm në Serbi, por mbi të gjitha në rajon”, thotë Todoroviç.

Familja Milosheviç u arratis në Rusi dhe thuhet se bashkëshortja e tij është pedagoge në një universitet. Slobodan Milosheviç nuk u dënua kurrë në Hagë për masakrat e kryera, pasi vdiq gjatë gjykimit. Për një kohë të gjatë, figura e tij në Serbi ka qenë e urryer.

Top Channel