Rrëzimi i dekreteve, Rama në Presidencë

30/10/2014 00:00

Disa orë pasi Kuvendi rrëzoi dekretet e presidentit Bujar Nishani për kandidaturat për Gjykatën e Lartë, kreu i ekzekutivit Edi Rama shkoi në Presidencë për një takim kokë më kokë me kreun e shtetit.

As Presidenca dhe as zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave nuk japin detaje mbi atë çfarë është biseduar në këtë takim që ka zgjatur më shumë se 30 minuta.

Por, mbajtur në konsideratë faktin se propozimet e presidentit për Gjykatën e Lartë rrëzohen për të tretën herë, kjo duket se ka zënë një pjesë të konsiderueshme të bashkëbisedimit mes tyre.

Lidhur me këtë çështje edhe përfaqësues të mazhorancës pak ditë më parë kërkuan që t’i jepet një zgjidhje kësaj situate.

Sakaq, ky takim vjen në një kohë kur qeveria dhe Kuvendi janë duke plotësuar vendet vakante të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, mes të cilëve presidenti duhet të zgjedhë emrin e guvernatorit të ri.

Top Channel