Meta, vizitë zyrtare në Marok

30/10/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i ndodhur në një vizitë zyrtare në Markok, është pritur nga presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të këtij vendi, Rachid Talbi Alami.

Meta dhe Alami vlerësuan marrëdhëniet tradicionale e miqësore mes dy popujve dhe ndanë bindjen se intensifikimi i shkëmbimeve parlamentare do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Marokut.

Dy zyrtarët ndanë bindjen se dy parlamentet duhet ta forcojnë bashkëpunimin në nivel dypalësh dhe në kuadër të platformave ndërkombëtare si OKB, Bashkimi për Mesdheun, Organizata për Bashkëpunim Islamik dhe Unioni Ndër-Parlamentar, jo vetëm përmes grupeve të miqësisë, por edhe përmes komisioneve reciproke parlamentare.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga zoti Meta u prit edhe nga presidenti i Dhomës së Këshilltarëve të Marokut, Mohamed Cheikh Biadillah, takim ku u theksua se forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në planin ndërkombëtar i konsolidon më tej përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe për rritjen e parametrave të sigurisë në botë.

Top Channel