Një “gjermane” për Këshillin e BSH

30/10/2014 00:00

Denada Prifti është emri i përzgjedhur nga qeveria për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Emri, që konfirmohet për Top Channel nga kryetari i komisionit të ekonomisë Erjon Braçe, vjen nga një eksperiencë e gjatë dhe e suksesshme në institucionet financiare ndërkombëtare.

Karriera e saj është zhvilluar në Gjermani, në organizata financiare serioze dhe po aq në sektorin bankar. Ndërsa spikat detyra e saj në Ministrinë e Financave të shtetit më të zhvilluar në Europë dhe së fundmi edhe kontributi pranë institucioneve financiare të Komisionit Europian.

“Qeveria e ka bërë procesin, ka përzgjedhur një zonjë me eksperiencë të gjatë në botën financiare, që ka shërbyer në këto institucione dhe aktualisht vazhdon të shërbejë për BE. Një kandidaturë shumë e mirë, jashtë politikës, që ka shprehur gatishmërinë të shërbejë përtej interesave të karierës për Bankën e Shqipërisë, në këtë moment të vështirë të saj”, ka deklaruar Braçe.

Emri i Denada Priftit si kandidaturë e qeverisë do të vendoset përkrah emrit që do të vijë nga Kuvendi, i cili miratoi proçedurat për përzgjedhjen e tij në këtë seancë.

“Nesër unë besoj se do të adresohet thirrja, përkundrejt cilitdo nga ekspertët e financave dhe sidomos bankave e politikave monetare, që duan të aplikojnë për të qenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Do jetë një proces i gjerë dhe i hapur dhe do ftoja këdo që ka përvojën e duhur, në bazë edhe të përcaktimeve të ligjit për BSH, që të aplikojë”, ka thënë Braçe.

Kandidatura e qeverisë dhe ajo që do të vijë nga Kuvendi, plotësojnë dy vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës, ndërsa i treti do të emërohet në fund, nga vetë anëtarët e tij për të plotësuar në këtë mënyrë të gjitha vendet vakante në këtë këshill.

Por për kryetarin e komisionit të ekonomisë duhet të rishihet edhe pozicioni i dy anëtarëve të tjerë në këtë këshill. “Ne do ta mbyllim këtë proces dhe në fund të tij duhet të vendosim ligjshmërinë në Këshillin Mbikëqyrës. Dy anëtarë janë në kushte flagrante të ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe duhet të hapet një proces për këtë gjë, për vendosjen e ligjshmërisë dhe pse jo largimin e tyre”, ka shtuar Braçe.

Plotësimi i tre vendeve vakante i hap rrugën presidentit të Republikës të zgjedhë mes tyre guvernatorin e Bankës Qendrore. Ligji parashikon se është kreu i shtetit ai që zgjedh mes 9 anëtarëve të këshillit guvernatorin, përzgjedhje për të cilën ai është shprehur se do të konsultohet me kryeministrin.

Top Channel