“Nuk e dimë se ku kanë shkuar paratë e BSH”

30/10/2014 00:00

Kur nga njëra anë në nëntor pritet të nisë gjyqi në themel ndaj  15 nëpunësve të Bankës së Shqipërisë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe nga ana tjetër të shqyrtohet masa e sigurisë për ish-guvernatorin Ardian Fullani, Prokurori i Përgjithshëm deklaron se destinacioni i 713 milionë lekëve të vjedhura nuk është gjetur ende.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës kryeprokurori Adriatik Llalla tha se prokurorët e çështjes këmbëngulin për masën e sigurisë arrest me burg për zyrtarët e lartë të bankës për shkak të rrezikut për shkatërrimin e provave.

“Hetimet vazhdojnë për zyrtarë të nivelit drejtues të bankës. Dyshimet nëse janë të përfshirë drejtpërdrejtë në vjedhjen e shumës ose për moskryerjen e detyrës do të provohet në vijim të hetimit të këtij rasti. Nga hetimet e deritanishme nuk kemi ndonjë të dhënë konkrete se ku kanë përfunduar këto para”, deklaroi Kryeprokurori Llalla.

I pyetur mbi  pistat hetimore për vrasjen e bankierit Artan Santo, për ekzekutimin e të cilit nuk ka ende asnjë të dyshuar, Llalla tha se kjo është një çështje e ndjeshme për të cilën po punohet.

“Kemi mjaft të dhënë në proces hetimi. Hetimet janë të gjithanëshme”, u përgjigj ai.

Prokurori i Përgjithshem përmendi se në luftën kundër korrupsionit janë nën hetim të zgjedhur vendorë, disa gjyqtarë dhe prokurorë, ndërkohë që shtoi se përveç të hetuarve për kultivimin e drogës në Lazarat ka edhe të tjerë që po hetohen për trafik droge nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Top Channel