Isa Boletini do të prehet në vendlindje

30/10/2014 00:00

Eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini më në fund do të varrosen në vendlindjen e tij, në fshatin Boletin të Mitrovicës.

Pas disa viteve punë, Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë ka përfunduar verifikimet për identifikimin e mbetjeve mortore të heroit, Isa Boletini. Për shkak të veprës atdhetare të tij është vendosur që eshtrat e tij të rivarrosen më 28 Nëntor të këtij viti.

Organizimi i ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit do të bëhet nën organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Kështu është vendosur të enjten pasdite në një takim mes Ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri si dhe pasardhësve të Heroit Kombëtar.

“Deri në fillim të javës së ardhshme do të finalizojmë më shumë detaje rreth konceptit organizativ, rreth mënyrës se si do të procedojmë. Meqënëse kemi nevojë edhe për konsultime për të parë nivelin dhe formën e përfshirjes së institucioneve të Republikës së Shqipërisë, meqenëse Isa Boletini është një nga heronjtë më të mëdhenj kombëtar dhe është vlerë e përbashkët kombëtare”, tha Memli Krasniqi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës.

“Është një kënaqësi e madhe. Unë e falënderoj ministrin, Qeverinë e Kosovës, kryetarin e Mitrovicës por po ashtu edhe Qeverinë e Shqipërisë e cila do të bashkëpunojë, siç tha ministri për organizimin e ceremonisë. Po jam shumë i kënaqur si familjar që u dakorduam që 28 Nëntori të jetë dita e rivarrimit të eshtrave të gjyshit në Boletin”, tha Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit.

“Përfundimi ishte emocional për mua, sepse ishte një punë e gjatë rrugëtimi i mbetjeve mortore të zotit Boletini ka pasur një rrugë të gjatë, aq më tepër të cilat ndërlidhen me kohën kur ato janë dashur të ruhen dhe të zhvendose kohë pas kohe”, u shpreh Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër që në ditët në vijim të organizojë komision ndër institucional që do të merret me përgatitjet e ceremonisë së rivarrimit në festën e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor.

Top Channel