Stano: Kompromis dhe dialog konstruktiv

30/10/2014 00:00

Në konferencën e fundit për shtyp si zëdhënës i komisionerit të Zgjerimit, Peter Stano ka deklaruar se Komisioni Evropian vazhdon t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në emër të zyrës së tij ka përsëritur apelin për kompromis dhe dialog konstruktiv mes palëve politike.

“A po e ndjekim Shqipërinë? Sigurisht, që e kemi ndjekur përgjatë gjithë kësaj kohe dhe përbën thelbin e procesit të anëtarësimit. Që prej marrjes së statusit kandidat në Qershor, Shqipëria është nën më tepër mbikqyrje, dhe po kështu janë rritur dhe pritshmëritë për sjellje dhe veprime më europiane.

Përsa i takon rrezikut ndaj institucioneve, Shqipëria është duke u përgatitur tashmë për fazën tjetër të procesit të anëtarësimit, që është hapja e negociatave. Komisioni dhe vendet anëtare po vëzhgojnë se si Shqipëria po sillet në fazën përgatitore që është hapi logjik i radhës.

Ndaj mendoj se është me rëndësi për gjithësecilin në vend të kuptojë se çfarëdo sjellje që bëjnë palët politike, ata krijojnë imazhin e pjekurinë e vendit të tyre, dhe veprimet e tyre do të merren parasysh nga vendet anëtare kur ata të vendosin nëse Shqipëria ka mbërritur, ose jo, në pikën për të nisur bisedimet e anëtarësimit, dhe nëse nuk punojnë, të mosqënurit europian është një kartë e mjaftueshme për t’u luajtur nga ata që hedhin dyshime nëse ka kuptim më zgjerimi.

Ky nuk është mesazhi i fundit ndaj palëve, siç e kemi përsëritur, dhe siç do të qëndrojë aty edhe pas ndryshimit të Komisionit. Fjalët kyçe në mesazhin ndaj Shqipërisë në 5 vitet e fundit janë ‘kompromisi’ dhe ‘dialogu konstruktiv’ dhe madje Komisioneri Fyle gjatë vizitës së fundit në Tiranë muajin e kaluar, nxiti qeverinë dhe opozitën që të marrin hapa për rivendosjen e dialogut politik në parlament.

Në raportin e fundit të progresit, dokumenti më autoritar i Komisionit, ne kërkojmê njësoj që qeveria dhe opozita të krijojnë hapësira për rivendosjen e dialogut në parlament, sepse në demokracitë e pjekura europiane, shkëmbimet e mendimeve dhe vendimet politike merren në parlament. Ky mesazh ka qenë, është dhe do të mbetet, edhe pas ndryshimit të Komisionit”, deklaroi Stano.

TCH: A pajtoheni me Ilir Metën kur fton të gjithë për të kuptuar rëndësinë e procesit pa përfshirje emocionale, duke patur parasysh se çfarë përfaqëson rasti i tij në raport-progreset tuaja të këtij mandati?

“Nuk jam i sigurtë nëse e kuptova mirë pyetjen, por kam përshtypjen se Komisioni kur gjërat kanë shkuar keq në vend, gjithnjë është shprehur se ka disa kritere të cilat duhen plotësuar, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën europiane.

Një prej këtyre kritereve është pavarësia e gjyqësorit dhe realizimi i sundimit të ligjit, që është themelore për progresin e vendit në këtë proces. Për Shqipërinë siç e dini, sundimi i ligjit dhe gjyqësori janë një prej prioriteteve kyçe ku vendi duhet të përqëndrohet në mënyrë që të nisë negociatat.

Në bazë të rezultateve, vendet anëtare do të marrin vendimin nëse vendi ka bërë mjaftueshëm për të kaluar në fazën tjetër të procesit”, u përgjigj Stano.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel