Pyje të reja për të mbrojtur Bovillën

30/10/2014 00:00

Baseni ujëmbledhës i Bovillës në Tiranë rrezikohet nga mbushja prej erozoinit të madh. Për të shpëtuar veprën që furnzion me ujë kryeqytetin, Ministria e Mjedisit lançoi këtë të enjte projektin për të mbjellë 63 mijë fidanë përgjatë basenit, në një sipërfaqe prej 25 hektarësh.

“Investimi, që është në prag të përfundimit, është një investim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe konsiston në mbjelljen e rreth 60 mijë fidanëve përreth basenit. Besoj se kjo do të ndikojë ndjeshëm në eleminimin e erozioinit, por edhe në cilësinë e ujit që furnizon banorët e Tiranës”, deklaroi ministri Lefter Koka.

Rrugës për në liqenin e Bovillës janë vënë re dhjetra firma inerte që shfrytëzojnë pa kriter malet e kësaj zone. Ministri Koka tha se do t’i kërkojë bashkëpunim kryeministrit dhe INUK për parandalimin e situatës katastrofike.

“Besoj se gjatë rrugës ju hasët firmat që mbledhin inertet dhe ju garantoj se do kërkoj bashkëpunim me kryeministrin dhe institucione të tjera të specializuara, pasi fadromat po bëjnë dëme katastrofike. Situata është e patolerueshme. Nuk e kuptoj se si dikush mund të dëmtojë natyrën ku jeton dhe ku do jetojnë brezat e ardhshëm”, theksoi Koka.

Pjesa dërrmuese e firmave inerte që veprojnë në këtë zonë janë pa leje mjedisore.

Top Channel