Cani prezanton paketën e re fiskale

30/10/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shfrytëzoi një takim me investitorët e huaj për të bërë publike disa nga ndryshimet e taksave në paketën e re fiskale, por vetëm ato në kahun lehtësues.

“Së pari sektori i sigurimeve, të cilit i hiqet tatimi mbi vlerën e shtuar, që zëvendësohet me një taksë prej 3 përqind mbi fitimin bruto. Për rafineritë vendase ulet taksa doganore e naftës bruto nga 10 përqind në zero”, deklaroi Cani.

Një tjetër industri që përfiton nga ulja e taksave është ajo e mineraleve që përpunohen në vend, renta e të cilave ulet në 3 përqind.

“Për kromin që përpunohet do ketë një rentë minerare të reduktuar. Gjithashtu, synohet ulja e taksës doganore për gomat e makinave në tërësi, për personat, bizneset, etj, nga 15 në 10 përqind. Do bëhet edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale për kontributet në fondet vullnetare të pensioneve në momentin e dhënies së kontributit”, bëri me dije Cani.

Për kapitalet fizike, si makineri dhe pajisje që përdoren në proceset prodhuese, vitin tjetër norma dysheme e amortizimit vendoset në 3 përqind, çka sipas ministrit lehtëson bizneset. Por, veç ndryshimit në normat e taksave, kreu i Financave tha se paketa e re do të ketë lehtësira edhe në anën administrative.

“Do vendoset kriteri mbi bazë risku për kontrollin për rastet kur rimbursohet TVSH-ja. Çka ul ndjeshëm kontrollin e administratës tatimore për rimbursimin e TVSH-së në biznes”, saktësoi Cani.

Ndonëse ministri i Financave paraqiti para investitorëve të huaj vetëm taksat që parashikojnë ulje, në total paketa e re fiskale pritet t’i rrisë taksat me 130 deri në 150 milionë dollarë.

Top Channel