‘Gazprom’ i hap rubinetat Ukrainës dhe vendeve të BE

30/10/2014 00:00

Marrëveshja e shumëpritur dhe e negociuar prej një kohe të gjatë mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Europian duket se është arritur gjatë kësaj të enjteje, në bazë të të cilës do të rifillojë furnizimi i Ukrainës me gazin rus. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë bisedimeve, ndërkohë që pritet vetëm nënshkrimi i saj.

Në fakt ishte njoftuar për një konferencë për shtyp në orën 21:45 nga selia e Komisionit Europian në Bruksel, e cila do të njoftonte zyrtarisht nënshkrimin e marrëveshjes, bëjnë të ditur burime të Reuters.

Edhe agjencia ruse e lajmeve  “Itar-Tass”, duke cituar burime të paidentifikuara, bëri të ditur gjithashtu se është arritur marrëveshja tripalëshe mbi furnizimin me gaz.

Më herët, zyrtarë të BE-së dhe Ukrainës thanë se ishin shumë pranë konkludimit të akordit, i cili do të bënte që Moska të rifillonte furnizimin me gaz ndaj fqinjit të saj ish-sovjetik, përgjatë stinës së dimrit.

Asgjë nuk është e sigurt pas muajsh të tërë diskutimesh të vështira, por negociatorët rusë, të cilët ndërprenë bisedimet gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes me pretekstin se marrëveshja varet nga angazhimi i BE-së ndaj Kievit se do ta ndihmonte të paguante borxhet e papaguara, u rikthyen në Bruksel për të rinisur diskutimet.

Më herët, Presidenti në largim i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se “mesa duket kemi një marrëveshje”. Barroso, i cili largohet të premten nga detyra, ishte parashikuar të merrte pjesë në konferencën për shtyp.

Ministri rus i Energjitikës, Alexander Novak, i cili u kthye sërish nga Moska me Alexei Miller, kreun e firmës shtetërore të gazit “Gazprom”, është cituar të ketë thënë për agjencitë ruse të lajmeve se “shpresonte që të gjitha dokumentet e nevojshme të nënshkruheshin gjatë takimeve të pasdites”.

Homologu i tij ukrainas, Yuri Prodan, është cituar të ketë thënë se “me të gjitha gjasat, të gjitha dokumentet do të nënshkruhen sot”.

Top Channel