Kerry dënon përshkrimin e turpshëm ndaj Netanyahut

31/10/2014 00:00

Përshkrimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu si “njeri i neveritshëm” nga një zyrtar anonim amerikan, siç është cituar në një revistë amerikane këtë javë, ishte tepër i turpshëm dhe i dëmshëm, sipas asaj që deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë së enjtes.

Netanyahu dënoi gjatë së mërkurës komentin e bërë nga një zyrtar i paidentifikuar në “The Atlantic”, ngjarje kjo që shton tensionet mes qeverisë së tij dhe administratës Obama, veçanërisht në lidhje me ndërtimin e vendbanimeve të reja në rajonin e Jeruzalemit Lindor, të aneksuar nga Izraeli.

“Dënojmë cilindo, që përdor një gjuhë të atillë, siç është përdorur në atë artikull”, tha Kerry përpara një audience gjatë Forumit të përvitshëm të Ideve në Uashington, në deklaratën e tij të parë mbi këtë çështje. “Ai citim nuk reflekton aspak mendimin e Presidentit, as mendimin tim, përkundrazi është i turpshëm, i papranueshëm dhe i dëmshëm”.

Termi “chickenshit” i përdorur në atë artikull, nënkupton një person burracak dhe të pavlefshëm.

“Nuk e kam dëgjuar kurrë atë fjalë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Nuk e di se cilët janë këta persona anonime, të cilët citohen në artikullin në fjalë, por ata po na e vështirësojnë edhe më tepër jetën”, shtoi Kerry.

Polemika e fundit erdhi pikërisht përpara një takimi në Shtëpinë e Bardhë gjatë së enjtes, mes Susan Rice, në rolin e këshilltares së Presidentit Barack Obama për sigurinë kombëtare, dhe Yossi Cohen, këshilltare për sigurinë kombëtare të kryeministrit Netanyahu.

Top Channel