Lahm: Dortmundi, ende një rrezik për ne

31/10/2014 00:00

Kapiteni i Bayern Munchen, Philipp Lahm, ka paralajmëruar kolegët e tij se Borussia Dortmund përbën ende një rrezik të madh për bavarezët, teksa dy ekipet rivale do të përballen ditën e shtunë në Bundesliga, edhe pse ekipi i Klopp vjen nga një ecuri prej 4 humbjesh radhazi.

Pasi kanë përfunduar në dy sezonet e fundit si nënkampionë të Gjermanisë, pas gjigantëve bavarezë, Dortmundi ka bërë nisjen më të keqe të një kampionati prej 27 vitesh, teksa e shohin veten në vendin e 15 me vetëm 2 fitore nga 9 takimet e para dhe 7 pikë të grumbulluara.

Ndryshe nga ta, Bayerni i Pep Guardiolas gjendet në krye të Bundesligës me 4 pikë distancë nga vendi i dytë, duke mos e njohur ende humbjen, e tashmë bëhen gati të presin rivalët e tyre në “klasiken” e futbollit gjerman në “Allianz Arena” të Mynihut, me një diferencë prej 14 pikësh nga njëri-tjetri.

Si Dortmundi edhe Bayern janë në krye të grupeve respektive në Champions League me nga 3 fitore secila, por duke rikthyer kujtimet e asaj fitoreje 3-0 të Dortmundit në Mynih gjatë Prillit të kaluar, Lahm nuk e sheh aspak të lehtë këtë përballje.

“Kjo është një ndeshje mes dy ekipeve, që gjatë viteve të fundit kanë qenë pretendentë për titullin”, tha ai. “Dortmundi e ka treguar anën e vërtet të tij në Europë, me 9 pikë në 3 ndeshje, ndaj dhe përbëjnë një rrezik real për ne”.

Bayern e mposhti 2-0 Dortmundin në Maj, në finalen e Kupës së Gjermanisë në Berlin, por Borussia i shtangu në sfidën e fundit mes tyre në kampionat, ku triumfoi 3-0 në “Allianz Arena” sezonin e kaluar. Kapiteni i Dortmundit, Mats Hummels, e përshkroi ndeshjen me Bayernin si një “detyrë të këndshme”. “Nëse ka ndonjë ndeshje, ku ne mund të rikthejmë vetëbesimin tonë, ajo është pikërisht sfida me Bayernin”, tha mbrojtësi i kombëtares gjermane.

Top Channel