Reforma, ndryshon edhe Kushtetuta

31/10/2014 00:00

Me synimin e shprehur për të ndërhyrë në të gjithë sistemin e drejtësisë, Ministria e drejtuar nga Nasip Naço ka organizuar tryezën për këtë qëllim, duke bërë të qartë se do të preket Kushtetuta.

“Gjithë ky proces do të bëhet në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe si një proces gjithëpërfshirës, të ketë jo vetëm konsensusin e aktorëve të fushës, por edhe të aktorëve të politikës. Kam parasysh këtu aktorët politikë të opozitës, e cila duhet të jetë aktive jo vetëm për faktin e numrit të nevojshëm të votave që kërkojnë ndryshime kushtetuese, por edhe për të garantuar një reformë të qendrueshme dhe të vazhdueshme ndër vite”, tha në nisje të fjalës Ministri Naço.

Opozita i ka dhënë fund dilemës për të qenë apo jo pjesë e kësaj tryeze, duke u përfaqësuar jo në nileve të larta politike, por me këshilltarin e grupit parlamentar për çështjet ligjore, i cili konfirmoi se PD do të jetë pjesë e procesit, por me dy detyra.

“Do të jemi pjesë e çdo tryeze, do të kontribuojmë sa herë të paraqitet një projektligj me vizionin dhe ekspertizën tonë ashtu sic do të denoncojmë sa herë ndodh deformimi i parimeve që duhet të udhëheqin sistemin e drejtësisë”, tha Këshilltari i Grupit Parlamentar demokrat për Çështjet Ligjore, Gazmend Bardhi.

Detajet konkrete për mënyrën se si do të bëhet reforma në drejtësi i dha kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Fatmir Xhafa, ku njoftoi ngritjen e strukturës parlamentare në javët e ardhshme dhe thelbin e saj së pari kushtetues.

“Për hir të reformës të ofrojmë konsensus, kohë dhe hapësirë për të gjithë, për opozitën dhe për të gjithë aktorët e sistemit veçanërisht si dhe për asistencën ndërkombëtare. Kemi besim tek ekspertët dhe këto do ta shprehim duke lënë reformën dhe shkrimin e ligjeve që do të jenë pjesë e saj jo në duart e politikës, por do ta vendosim në duart e ekspertëve më të mirë të sistemit të drejtësisë dhe asistencës ndërkombëtare. Së bashku mund të finalizojmë një reformë që do të zgjasë në kohë”, tha Xhafa.

Deklaratat e kreut të Komisionit të Ligjeve që politika duhet t’i rrijë larg procesit të reformës dhe se ajo do asistohet nga ekspertët nderkombëtare, së pari nga Komisioni i Venecias i  përmbush një kusht opozitës, por edhe një kërkesë të Presidentit, që u përfaqësua me këshilltaren ligjore.

Ndërsa palët politike i lëshonin mesazhe njëra-tjetrës në tryezë, ishte ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu që iu drejtua në mënyrë të njëkohshme, duke iu kujtuar se reforma në gjyqësor është kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Ekziston pritshmëria nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare që kjo reformë të projektohet për të shëruar problemet me sistemin, dhe jo thjesht për të arritur qëllime politike apo për të ndryshuar personelin nëpër institucione.  Kjo është koha për të ngritur atë besi. për të ecur përpara në një proces të matur, gjithpërfshirës dhe jo politik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu qasur të gjitha grupeve të interesit, përfshirë opozitën politike në një mënyrë të sinqertë. Gjithashtu i përket opozitës të mbajë një perspektivë të shëndetshme, të mbajë nën kontroll retorikën dhe të jetë më pak konfrontuese”, deklaroi ambasadori amerikan.

Në gjashtë pika ambasadori amerikan i përmblodhi ato si receta të dhëna nga një shtet partner dhe mik i Shqipërisë si SHBA.

“Reforma në gjyqësor është një maratonë, jo vrapim shpejtësie. Bëni hapa të matur. Rezultati i dëshiruar për të gjithë është një Shqipëri më e mirë”, u shpreh ai. 

Top Channel