Për herë të parë në panairin e librit në Beograd, të Serbisë janë ekspozuar edhe librat shqip, krah qindra stendave të tjera.

Një kohë trazirash në marrëdhëniet dypalëshe nuk ka penguar librat nga Tirana të jenë të shfaqura në panairin, i cili zakonisht ka rreth një milion vizitorë.

“Kanë një inrteres të jashtëzakonshëm për materialet turistike, por edhe për metodat gjuhësore. Kemi patur falenderime për prezancën tonë këtu, sidomos nga moshat e reja”, thotë Edvin Bega, nga shtëpia “Botimpex”.

Një bashkëpunim i ri ka lindur në mes të botuesve shqiptar dhe Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, e cila është e interesuar për librat nga Shqipëria. Ata kanë porositur rreth 200 botime.

“Kultura shqiptare nuk është e pranishme mjaftueshëm tek ne. Andaj tentojmë ta afrojmë atë në mënyrë që të mos ekzistojnë disa probleme të cilat janë, por nuk duhet të jenë”, thotë Dragan Purisic, përfaqësues i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë.

Panairi i Beogradit është një nga panairet më të mëdha në Ballkan me qindra botues nga e tërë bota që bëjnë paraqitjen e kulturës së tyre.

Top Channel