Burkina Faso, ushtria rrëzon presidentin

31/10/2014 00:00

Ushtria ka marrë kontrollin e gjithë aparatit shtetëror në Burkina Fasos
duke shpërndarë qeverinë dhe parlamentin e më pas duke njoftuar edhe
rrëzimin nga detyra të presidentit Blaise Compaore.

Më herët ushtria njoftoi krijimin e një qeverie tranzicioni, por tha se presidenti do të vazhdonte të ishte në detyrë edhe për një vit. Kjo deklaratë nuk zbuti protestat popullore që kërkojnë largimin e presidentit që ka 27 vjet që drejton vendin.

Shefi i ushtrisë, Gjeneral Honore Traore, tha se qeveria e re duhet të krijohet pas konsultave me të gjitha partitë politike dhe duhet ta udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve brenda 12 muajve të ardhshëm. Ai njoftoi gjithashtu edhe gjendjen e jashtëzakonshme dhe situatën e shtetrrethimit nga ora 19 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.

Mijëra protestues dolën në rrugët e Ouagadougou-t të enjten, me kërkesën për largimin e Presidentit Compaore, duke mësyrë Parlamentin dhe duke i vënë zjarrin atij, por duke shkatërruar edhe televizionin shtetëror.

Të paktën 3 protestues u qëlluan për vdekje dhe dhjetra të tjerë janë plagosur, kur forcat e sigurisë u detyruan të hapnin zjarr ndaj turmës.

“Duke parë nevojën për ta shpëtuar vendin nga kaosi dhe për të ruajtur bashkimin kombëtar, Asambleja Kombëtare është shpërndarë, ashtu sikurse është shpërbërë edhe qeveria”, tha Traore në një konferencë për shtyp.

Blloku rajonal i Afrikës Perëndimore (ECOËAS) kishte njoftuar më herët se nuk do të pranonte asnjë rrëmbim pushteti përmes mënyrave anti-kushtetuese, duke ushtruar në njëfarë mënyre presion diplomatik për të lënë Compaoren në pushtet.

Protestat nisën pas përpjekjes së qeverisë për të kaluar një ndryshim kushtetues në Parlament, i cili do t’i lejonte 63-vjeçarit Compaore të synonte rizgjedhjen vitin e ardhshëm.

Top Channel