Miratohet projektligji për buxhetin e vitit 2015

31/10/2014 00:00

Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për buxhetin e vitit 2015, me një shumë prej 1 miliard e 576 milionë euro.

Por këtë buxhet që miratoi kabineti i ministrave në largim duhet ta shqyrtojë dhe miratojë Kuvendi i Kosovës. Në projektbuxhet parashikohet rritja e pagave për gjithë nëpunësit civilë, kompensimi i ish të burgosurve politikë, veteranëve të UÇK-së, si dhe vazhdimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

“Me këtë draftbuxhet ne do të bëjmë të mundur edhe mbulimin e pagesës për pagat e rritura për të gjitha kategoritë e punëtorëve të sektorit publik dhe pensionet e rritura. Ne jemi zotuar para qytetarëve për rritje të pagave për katër vitet e ardhshme për 100 për qind. Unë e ritheksoj zotimin tim se nga fillimi i vitit të ardhshëm me një vendim të Qeverisë, do të fillojmë implementimin e këtij vendimi për rritjen e pagave nga 25 për qind, për çdo vit”, u shpreh Thaçi.

 Ministri i Financave, Besim Beqaj tha se pritet që edhe në vitin 2015 ekonomia e Kosovës do të vazhdojw me ritmet pozitive të rritjes, ku vetëm në vitin 2015, norma e rritjes ekonomike pritet të jetë ndër më të lartat në rajon, me 4.1 për qind, ndërsa, mesatarja për tri vitet e ardhshme 4.3 për qind.

“Për vitin 2015 të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014. Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten me rreth 7 për qind, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me rreth 17 për qind. Kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit”, u shpreh Beqaj.

Sipas këtij projektbuxheti, shpenzimet e përgjithshme për vitin 2015 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliardë e 682 milionë euro, që paraqet një rritje rreth 6 për qind krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve në vitin 2014.Por në buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar zvogëlim në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve dhe komunave, nga 255 milionë euro në vitin 2014, në 218 milionë euro në vitin 2015 apo një zvogëlim prej 15 për qind.Me buxhetin e vitit 2015, rritje ka përfituar edhe sektori i drejtësisë, siç janë Ministria e Punëve të Brendshme me një rritje prej 9.0 milionë euro, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka një rritje prej 3.0 milionë euro, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një rritje prej rreth 0.7 milionë dhe Prokurori i Shtetit ka një rritje prej rreth 0.2 milionë.

Top Channel