Kinë, luftë korrupsionit, kapen 33 mln $

31/10/2014 00:00

Hetuesit e strukturave të anti-korrupsionit në Kinë raportohet të kenë gjetur e sekuestruar një shumë me vlerë 33 milionë dollarë në para të thata në shtëpinë e një zyrtari.

Bëhet fjalë për shumën më të madhe të sekuestruar ndonjëherë. Mbi 200 milionë Jen u gjetën në shtëpinë e zyrtarit dhe katër nga 16 makinat që numëronin paratë u prishën gjatë procesit për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të kartmonedhave.

Wei Pengyuan, një zyrtar i vjetër në Administratën Kombëtare të Energjisë ndodhet nën hetim për korrupsion.

Shuma e madhe e parave u vendos para kamerave në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të premte nga kryeprokurori i njësisë anti-korrupsion Xu Jinhui.

Vetëm në vitin 2014 Kina ka dënuar mbi 13 mijë zyrtarë të cilët janë shpallur fajtor në proceset gjyqësore për marrje ryshfeti. Presidenti Xi Jinping ka premtuar se do të frenojë korrupsionin në Kinë.

Ai ka paralajmëruar se fushata kundër këtij fenomeni do të godasë si “tigrat” ashtu edhe “mizat”, duke nënvizuar se askush, as anëtarët e partisë, nuk do të përjashtohen nga këto masa.

Që kur ai erdhi në pushtet, disa nga figurat më të larta politike të Kinës, përfshirë nënkryetarin e Parlamentit dhe ish-shefin e sigurisë, janë prekur nga fushata anti-korrupsion.

Ekspertët kanë sugjeruar se numri i lartë i vetëvrasjeve në radhët e anëtarëve të partisë ka ardhur si pasojë e presionit të luftës kundër këtij fenomeni.

Top Channel