Allegri: Juventusi nuk është në krizë

31/10/2014 00:00

Pas dy transfertave zhgënjyese me Sassuolon dhe Genoan, Juventusi do të vizitojë Empolin në javën e 10 të Serisë A. Trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri, në prag të kësaj sfide (e shtunë, ora 18:00) ka komentuar momentin që po kalon skuadra e tij duke thënë se nuk është aspak një moment krize.

“Dy transfertat e fundit kanë qenë të tmerrshme, por vetëm përsa i përket rezultatit. Nuk jemi në krizë pasi shifrat nuk thonë kështu. Problemi është se krijojmë shumë raste dhe po shënojmë pak. Nga ana tjetër, pësojmë gol në ato pak raste që na krijojnë kundërshtarët”, shpjegon Allegri.

Më tej, trajneri shton: “Jemi në krye të kampionatit dhe në luftë për të kaluar fazën e grupeve në Champions. Mendoj se kjo skuadër do të shkojë shumë larg këtë sezon dhe për të arritur gjëra të mëdha duhet të kapërcesh edhe javë të vështira ku lihen pikë.”

Allegri foli edhe për momentin jo të shkëlqyer që po kalojnë Pogba dhe Vidal: “Pogba ka luajtur shumë ndeshje, ndërsa Vidal po rigjen formën e tij më të mirë. Nuk jam aspak i shqetësuar, ata janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për skuadrën.”

Top Channel