Rama: Situatë dramatike në arsimin parauniversitar

31/10/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi se sistemi i dijes në Shqipëri është i rrënuar dhe ka nevojë për ndërhyje urgjente.

Shefi i Qeverisë shfrytëzoi një takim në Universitetin e Vlorës, për të njohur publikun me rezultatet, sipas tij tronditëse, të një vrojtimi qe Qeveria ka kryer mbi sistemin arsimor parauniversitar.

“U nisëm për të konstatuar numrin e mësuesve jashtë profilit dhe ajo që gjetëm është se përtej numrit të mësuesve jashtë profilit, që është një numër i papranueshëm, ka një numër ende më të madh mësuesish pa arsimin përkatës. Ashtu sikundër, ka një numër të konsiderueshëm mësuesish që paguhen prej vitesh me paratë e popullit shqiptar dhe që nuk japin mësim”, tha Kryeministri Rama.

Vrojtimi ka gjetur se mbi 26 për qind e totalit të nxënësve në Shqipëri janë në duar të mësuesve jashtë profilit ose që nuk kanë fare arsim. Kryeministri tha se kjo është një situatë tronditëse dhe të hënën Qeveria do të shpalle paketën e masave, për ndërhyrje emergjente në këtë sektor.

“E para, për të pastruar sistemin nga mësuesit pa arsim, e dyta për të pastruar sistemin nga mësuesit jashtë profilit, e treta për të pastruar sistemin nga mësuesit që paguhen pa dhënë mësim fare”, u shpreh Rama.

Por masa më e rëndësishme sipas tij, është ajo që do të kalojë në sitë çdo mësues, në sistemin arsimor të vendit.

“Për të nisur urgjentisht procesin e licensimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë, përmes provimit të licensimit dhe për të bërë që çdo mësues i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm të ketë licensën e mësuesit, por të ketë edhe kuotën e krediteve të veta që duhet t’i rinovojë me prodhime sistematike”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se gjendja e mjerueshme arsimor është arsyeja themelore e prapambetjes ekonomike të vendit.  

“Sa më shumë mësues jashtë profilit apo pa arsim, aq më keq situata ekonomike dhe sociale e zonës, sepse kapitali njerëzor i zonës, përcakton edhe nivelin ekonomik të saj”, tha Rama.

Top Channel