Ebola, Ban Ki Moon kritikon masat e rrepta

31/10/2014 00:00

Shefi i OKB-së, Ban Ki Moon e ka cilësuar të papranueshëm diskriminimin e punonjësve shëndetësorë që kthehen në atdhe nga vendet e prekura nga Ebola në Afrikën Perëndimore.

Në një prononcim për BBC nga Nairobi, Ban deklaroi se, rregullat e rrepta të karantinës po dënojnë përpjekjet për ndihmë në një kohë kur nevojiten sa më shumë punonjës për të frenuar virusin.

“Përpjekjet ndërkombëtare kanë qenë të pamjaftueshme, por tani po përputhen me situatën. Jemi përpjekur për një mobilizim sa më masiv”, tha ai.

Sekretari i përgjithshëm tha më tej se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shkencëtarë në mbarë botën po punojnë për të zhvilluar vaksinën.

Objektivat kryesorë të Kombeve të Bashkuara përfshijnë ndaljen e virusit, gjetjen e një mjekimi dhe parandalimin e përhapjes së Ebolës, shtoi Ban.

Grupi i bamirësisë Mjekët pa Kufij paralajmëroi të premten se masat e rrepta me karantinën të marra nga administrata amerikane po japin efekte negative në punën e tij.

“Ka një rritje të shqetësimit në radhët e stafit tonë që punon në terren për faktin se me çfarë mund të përballen kur kthehen në shtëpi nga misionet në Afrikën Perëndimore”, deklaroi drejtoresha e MPK, Sophie Delaunay për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Një mjeke vullnetare në Shtetet e Bashkuara ka sfiduar urdhërat e shtetit të Meinit që të qëndronte në karantinë në shtëpinë e saj, pasi kishte qenë me mision në Sierra Leone.

Top Channel