Njësi speciale për hajdutët e OSHEE-së

31/10/2014 00:00

Qeveria ka ngritur një njësi speciale që do të hetojë kryesisht
punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të cilët
bashkëpunojnë në vjedhjen e energjisë.

“Do të jetë një njësi e pavarur nga OSHEE, me fokus kryesor rolin e punonjësve të OSHEE-së në aktet kriminale, siç është lidhja e paligjshme e energjisë. Do të bashkëpunojë me policinë, do të ketë akses në të dhënat e Pperatorit dhe bashkëpunojë me të, por do të kryejë edhe hetime dhe kërkime të pavarura në mënyrë që të evidentohen rastet jashtë strukturës së OSHEE-së”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
   
Trupa me rreth 50 punonjës do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse që disponojnë të dhëna për konsumatorët si QKR-ja, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo Drejtoria e Tatim-Taksave, me qëllim rakordimin e bazës së të dhënave.

Ministri i Energjisë thotë se pjesa më e madhe e vjedhjeve, që siç shprehet ai, kërkojnë njohuri të caktuara teknike, janë kryer në bashkëpunim me punonjësit e sistemit, për të cilët parashikohet i njëjti dënim si për ata që vjedhin energjinë.

‘Janë mbi 115 veta të ndaluar, 12 apo 13 janë punonjës të OSHEE-së. Ka patur rritje të arkëtimeve, shumë njerëz po ndërgjegjësohen. Ata që kanë patur lidhje të paligjshe po tentojnë të çmontojnë lidhjet sepse shteti nuk do të ndalet nga kjo fushatë”, theksoi Gjiknuri.
 
OSHEE thotë se arkëtimet gjatë ditëve të para të aksionit të Qeverisë janë rritur me rreth 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të muajve paraardhës ose rreth 300 milionë lekë.

Top Channel