ISIS, varre masive në perëndim të Irakut

31/10/2014 00:00

Një numër i madh trupash të fiseve myslimane sunite, të vrarë nga militantët e Shtetit Islamik, janë gjetur në disa varre masive në perëndim të Irakut.

Varret që u gjetën në provincën e Anbarit mund të përmbajnë nga 80 në 220 trupa, raportojnë autoritetet lokale. Shumica e tyre i përkasin fisit Al Bu Nimr, që iu bashkua qeveria shiite për të luftuar IS-in.

Gjithashtu besohet se militantët e grupit terrorist mund të kenë vrarë 600 të burgosur në një burg të Mosulit që morën nën kontroll në qershor.

Të dënuarit u detyruan të gjunjëzoheshin në buzë të një lugine të thellë para se të qëlloheshin nga mbrapa, deklaroi grupi i të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.

Ndërkohë, një video grafike që në pamje të parë tregon disa nga viktimat të sulmit të IS-it në qytetin Hit të provincës së Anbarit është publikuar online.

Një zyrtar lokal, Sabah Karhout e përshkroi masakrën si një krim kundër njerëzimit dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për fiset sunite që luftojnë militantët në Anbar.

Lidhur me të dhënat e fundit reagoi edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, i cili tha se vrasja e fiseve sunite nga luftëtarët e Shtetit Islamik është “realiteti brutal i asaj që po luftojmë në këtë konflikt”.

Ndërsa shefi i ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsey deklaroi se këshilltarët ushtarakë amerikanë duhet të dërgohen në provincën e Anbarit, por më parë qeveria në Bagdad duhet të armatosë fiset sunite lokale.

Militantët e ISIS kanë vrarë disa qindra persona në zonat e gjera që kontrollojnë në Irak dhe Siri.

Top Channel