Francë, zjarr në studiot e radios kombëtare

31/10/2014 00:00

Një zjarr masiv ka bërë që zyrat e radios kombëtare franceze në një godinë të Parisit të evakuohen, duke ndërprerë për rrjedhojë edhe programet.

Re të zeza tymi dolën nga Shtëpia e Radios, jo larg Kullës Eifel, duke bërë që zjarri të shihej në mbarë kryeqytetin francez.

Mediat lokale raportuan për shpërthime të ndodhura brenda zyrave të stacionit radiofonik, para se zjarrfikësit të mbërrinin në vendin e ngjarjes.

Për fat të mirë zjarri nuk ka shkaktuar viktima. Kanali francez i lajmeve TF1 konfirmoi në edicionin e tij online se programet e radios shtetërore ishin ndërprerë.

Por Bernard Thomasson, një gazetar i kësaj mediaje tha se zjarri preku vetëm një zonë dhe jo të gjithë ndërtesën ku ndodhen studiot.

“Unë punoj në atë ndërtesë dhe pash tymin e zi. Fillimisht u evakuuam vetëm ne, pastaj e gjithë ndërtesa”, deklaroi Thomasson.

“Zyrat e radios kanë qenë në proces rinovimi në 10 vitet e fundit dhe në katin e tetë po zhvilloheshin punime. Aty ra zjarri dhe mendoj se shkak janë bërë pikërisht punimet”, shtoi gazetari.

Top Channel