Thaçi nuk ndryshon qëndrim

31/10/2014 00:00

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi vazhdon thirrjet për liderët politikë që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve.

Nga Vërmica, Thaçi ka ripërsëritur qëndrimin e tij se zgjidhja duhet të bëhet duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë e ritheksoj edhe sot, zgjidhja duhet të gjendet duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit dhe duke respektuar vazhdimisht të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Jemi duke kaluar në një situatë apo rrethanë kritike ku nuk kemi kohë për të humbur dhe kërkohet që secili lider dhe secila parti të shikojë më tepër interesin nacional sesa interesat personale apo partiake. Shpresoj që të arrihet një marrëveshje në një të ardhme të afërt, sepse duket që ka një lloj reflektimi nga të gjithë në domosdoshmërinë e formimit të institucioneve”, ka deklaruar Thaçi.

I pyetur për afatet ligjore për formimin e institucioneve dhe rrezikun për vajtjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, Thaçi ka thënë se të gjithë janë duke punuar për të dalë nga kjo situatë dhe se ende ka hapësirë për të ngritur institucionet.

“Të gjithë jemi duke shqyrtuar mundësitë që të gjendet një zgjidhje sa më e pranueshme, sa më efikase për shtetin dhe qytetarët. Nuk do të flisja me data sepse ka ende hapësirë ligjore të mjaftueshme, por domosdoshmëria në proceset politike që po kalojmë kërkon që në mënyrë të shpejtë të ulemi, ndoshta edhe në mënyrë urgjente dhe të gjemë zgjidhje për formimin e institucioneve të shtetit” ka theksuar Thaçi.

Top Channel