Basha: Në 1 vit, ekonomia hyri në krizë

31/10/2014 00:00

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i PD Lulzim Basha deklaron se brenda një viti ekonomia hyri në krizë, ndërsa papunësia dhe varfëria ka pushtuar çdo familje.

“Qytetarët luftojnë sot për mbijetesë, për bukën e gojës. Këta nuk dinë të qeverisin por të gjobisin, nuk dinë të drejtojnë por të dhunojnë”, thekson Basha.

Sipas tij, ministrat e sotëm nuk dinë të krijojnë pasuri kombëtare, por vetëm të rrisin taksat, borxhet, çmimin e energjisë, naftës, ushqimeve, tarifat e shkollave dhe koston e jetesës.

“Përmes këtyre ata synojnë t’i mbajnë shqiptarët nën ankthin e mbijetesës, nën frikën e së nesërmes”, shprehet më tej Basha.

“24 vjet më parë, ne refuzuam shtetin policor dhe kthyem sytë nga shteti ligjor. Sot nuk mund të lejojmë kthimin pas. Kjo është fytyra e së keqes dhe këtë të keqe ne duhet ta ndalim sa nuk është vonë”, përfundon postimin kreu i PD.

Top Channel