Gjatë vizitës zyrtare në Marok, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit nga kryeministri i këtij vendi, Abdelilah Benkirane.

Gjatë takimit, kryeparlamentari Meta propozoi përshpejtimin e finalizimit të marrëveshjeve në proces, veçanërisht atyre për lehtësimin e vizave, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve dhe për eliminimin e taksimit të dyfishtë.

“Këto hapa do të hapnin rrugën për një intensifikim të dukshëm të shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve”, vlerësoi Meta.

Zoti Meta kërkoi gjithashtu nga kryeministri i Marokut që shteti i tij të rrisë bashkëpunimin me Kosovën dhe të avancojë drejt njohjes së plotë të pavarësisë së saj.

Më pas delegacioni shqiptar zhvilloi një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, në qendër të të cilit ishin sërish marrëdhëniet dypalëshe dhe rasti i Kosovës.

Top Channel