Falë një fondi të qeverisë turke, Departamenti i Pediatrisë në spitalin rajonal të Vlorës është tërësisht i rikonstruktuar. Ky është hapi i parë i një rikonstruksioni tërësor të spitalit rajonal të Vlorës.

Kreu i qeverisë Edi Rama paralajmëroi se shumë shpejt Vlora do të përjetojë hapjen e disa kantiereve të tjera shumë të mëdha: “Kantieri i vijës bregdetare, i cili është një nga kantieret më të rëndësishme dhe që do të hapet pas një tenderi ndërkombëtar që ka nisur me financimin e Komisionit Europian dhe bashkëfinancimin e qeverisë shqiptare. Kantieri tjetër, për rrugën hyrëse në qytet, për të lidhur përfundimisht qytetin me autostradën sepse nuk mund të hyhet në Vlorë nga një xhep fals, siç e kanë lënë deri tani.”

Në mënyrë që këto projekte të marrin jetë, zoti Rama theksoi se prishjet e ndërtimeve pa leje janë të paevitueshme: “Sigurisht, përpara se të fillojmë kantieret e tjera brenda në qytet, paralelisht me vijën bregdetare dhe me Lungomare-n, siç ka mbetur këtu fjala, do të kemi edhe një periudhë që do të kalojë INUK-u. Sepse ka shumë abuzime, ka shumë çibanë të mbjellë gjithandej që po i marrin frymën qytetit prej vitesh dhe pas shkuljes së tyre do të ndërhyhet në të gjitha lagjet e qytetit.”

Kryeministri Edi Rama, njëherazi deputet i Vlorës, i dërgoi këtë mesazh qytetarëve të këtij qyteti për energjinë elektrike: “Nga ana tjetër, porosia e fundit është që nuk është në nderin e asnjë vlonjati që të shkojë në burg për mospagimin e energjisë elektrike.”

Top Channel