Ekspertët: Reforma në drejtësi nis nga KLD

31/10/2014 00:00

Reforma në drejtësi është kryefjalë e çdo debati, por pyetja që shtrohet është: ku duhet të nisë reforma në drejtësi?

“Duhet të nisë tek rishikimi kushtetues i përbërjes së KLD-së, i pozicionit të presidentit dhe ministrit të Drejtësisë në KLD. Mënyrës se si anëtarët vijnë në KLD, duhen mekanizma që ne të realizojmë që përbërja të garantojë funksionimin e institucionit. Flasim për korrupsionin. Dikur legjislacioni thoshte se verifikimin e pasurisë së gjyqytarëve e bënte KLD, tani gjyqtarët kanë vajtur tek ILDKP. Ndoshta këto mund të rishikohen”, deklaroi eksperti Artan Hoxha.

“Do të ishte mungesë kohe të vijonim me argumenta, që formula e sotme garanton pavarësi të plotë në një vendimmarrje ku dy të tretat janë gjyqtarë dhe që vendosin për karrierat e kolegëve të tyre”, deklaroi nga ana tjetër anëtari i KLD-së, Sokol Çomo.

Nga ana e tij, eksperti Hoxha vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. “Unë them që është një institucion jo shumë i zgjuar për t’u mbajtur në Kushtetutë. Konferenca Gjyqësore funksionon shumë pak, për të mos thënë fare dhe duhet t’i japim një pozicion jo thjesht formal nëse do ta mbajmë”, nënvizoi Hoxha.

Ndërkohë Prokuroia e Përgjithshme mendon se me ndryshimet ligjore të vitit 2008 i është prekur pavarësia atëherë kur ministrisë iu dhanë kompetenca të kontrollit në organin e akuzës.

“Duhen ndryshime nën nenin që përcakton marrëdhënien e Prokurorisë së Përgjithshme me Ministrinë e Drejtësisë. Ndryshim tjetër i rëndësishëm, jo vetëm për ne por për çdo institucion të pavarur, është të kemi një ndryshim tek neni 57 i ligjit për pavarësinë e buxhetit në prokurori”, deklaroi prokurori Kujtim Luli, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Në një prokurori të centralizuar, Këshilli i Prokurorisë mua më duket se është një organ si lule e bukur që rrethon kryeprokurorin. Por kryeprokurori, më falni për shprehjen, të thyen brinjët brenda sistemit”, tha më tej eksperti Artan Hoxha.

Top Channel