Murphy: Shtetet e Bashkuara të riangazhohen në Ballkan

31/10/2014 00:00

Senatori amerikan Chris Murphy mbajti këtë të premte një fjalim në Uashington, lidhur me turin e kryer së fundmi në Ballkan, ku ndaloi në Kosovë, Shqipëri, Serbi, etj.

Mesazhi kryesor që ai i përcolli administratës amerikane ishte se, paqja në rajon është ende e brishtë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë vëmendjen në Ballkan, edhe për t’i bërë kontrast Rusisë.

“Para 15 vjetësh vëmendja e SHBA u fokusua në Ballkanin e përfshirë nga lufta dhe presidenti Clinton ndërhyri. Por pas 11 shtatorit vëmendja u zhvendos dhe ka rënë vit pas viti. Ballkani meriton vëmendjen amerikane”, tha Murphy.

Murphy, që është dhe nënkryetar i Senatit për çështjet e Evropës, foli në qendrën e Marrëdhënieve Euro-Atlantike në Uashington, ku komentoi edhe ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Paqja që ka zgjatur për një dekadë nuk duhet marrë si diçka e natyrshme, pasi një ndeshje futbolli bëri që dy kryeministra të shtynin vizitën historike”, nënvizoi ai.

Senatori vuri në dukje se një tjetër faktor i rëndësishëm pse Uashingtoni duhet të kthejë sërish sytë nga Ballkani është edhe rekrutimi i xhihadistëve.

“Amerika duhet t’i kushtojë vëmendje rritjes së numrit të luftëtarëve të huaj që rekrutohen në Ballkan për në Irak. Në Kosovë njerëzit nuk dallohen nga përkatësia fetare, por ajo etnike. Por kohët e fundit në Kosovë, sikurse në të gjithë Ballkanin, ka hyrë paraja e rekrutuesve të terrorizmit”, tha Murphy, për të shtuar se, ndërkohë që SHBA po tërhiqen nga rajoni, Rusia po pret tek porta.

“Ka një shtim të ndikimit rus në Ballkan, sidomos në Serbi dhe Mal të Zi, ku Rusia po përpiqet të ivnestojë në media dhe pasuri të patundshme. Shtetet e Bashkuara mund të kenë avantazhe të mëdha në Ballkan. Ato mund të rivendosin misionin USAID dhe të investojnë në bursa për studentët. Gjithashtu, NATO duhet t’i ofrojë anëtarësimin Malit të Zi, që do ishte një lëvizje e mirë për t’i bërë ballë Rusisë”, theksoi Murphy.

Top Channel